E Diel, 1 Nëntor 2026

Prononcim i Kryeministrit Berisha dhënë për Televizionin Publik Shqiptar

Kryeministri Berisha: Në audiencën që më akordoi Emiri i Kuvajtit, Sheikh Sabah Al-Ahmad Al-Jaber Al-Sabah konstatova gatishmërinë për konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve që ekzistojnë midis dy vendeve, të rritjes së investimeve kuvajtiane në Shqipëri, si dhe gatishmërinë për të ndërmarrë me qeverinë kuvajtiane projekte në fusha me interes të përbashkët.

Hapja e ambasadave do të jetë një moment shumë i rëndësishëm. Gjykoj se marrëdhëniet tona po ecin me shpejtësi drejt horizonteve më të gjera. Janë marrëdhënie politikisht të shkëlqyera, janë marrëdhënie miqësore, por potenciali për t’i shtrirë ato në të gjitha fushat është i madh dhe jam i bindur, se pas vizitës së Kryeministrit në Tiranë dhe kësaj vizite këtu, këto marrëdhënie do të njohin dimensione të reja.

Mbeta gjithashtu shumë i kënaqur sepse Lartësia e tij Emiri, më premtoi se do të vizitojë Shqipërinë në rastin më të parë. Sikundër edhe Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Kuvajtit Jassim Mohammed Al-Kharafi, i cili si familje është pjesë e zhvillimit të Shqipërisë, ka pranuar ftesën e Kryetares së Parlamentit dhe së shpejti do të vizitojë Shqipërinë.

Pyetje : A ka interes për të investuar në Shqipëri ?

Kryeministri Berisha: Unë mendoj se kanë interes real dhe të madh. Nuk duhet të harrojmë se investitori kryesor në Shqipëri është Al Kharaf dhe se Fondi Kuvajtian i Zhvillimit ka dhënë një ndihmë shumë të madhe në dhjetëra e dhjetëra projekte në të gjitha fushat, një ndihmë bujare në ndërtimin e Shqipërisë.

Pra ekziston një vullnet shumë i qartë, gatishmëria dhe ndjenjat më miqësore për t’u dhënë këtyre marrëdhënieve një nivel të ri.


04/04/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›