Kryeministri Berisha takohet me Ministrin e Ekonomisë dhe Financave të Kosovës, zoti Haki Shatri
Sot pasdite, Kryeministri Berisha mirëpriti delegacionin e Kosovës të kryesuar nga Ministri i Ekonomisë dhe Financave, zoti Haki Shatri.
Të dy palët vlerësuan nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve dypalëshe dhe theksuan rëndësinë e thellimit dhe forcimit të bashkepunimit në të gjitha fushat. Kryeministri Berisha u shpreh se për të nxitur këtë bashkëpunim duhet vazhduar puna në heqjen e të gjitha barrierave, sidomos ato të fushës ekonomike. Zhvillimi dhe forcimi i infrastruktures lidhëse midis Shqipërisë dhe Kosovës është një kusht bazë dhe i domosdoshëm për çuarjen përpara të marrëdhënieve të gjithanshme dhe lëvizjen e lirë të popullsisë e mallrave. Këtë vit, nënvizoi Kryeministri, pati një rritje prej 42 % të fluksit të turistëve kosovarë në Shqipëri dhe një rritje të konsiderueshme të blerjeve të banesave verore nga kosovarët në bregdetin shqiptar.
Kryeministri shprehu bindjen se projektet për ndërtimin e rrugëve të reja që qeveria shqiptare ka në programin e saj, si dhe nxitja dhe zhvillimi i transportit hekurudhor dhe ajror midis dy vendeve, afron më shumë të dy vendet dhe zhvillon marrëdhëniet tregëtare Shqipëri-Kosovë, por dhe me vendet e tjera ne rajon. Nje infrastrukture e zhvilluar do të bëjë të mundur promovimin e bukurive natyrore të të dy vendeve dhe zhvillimin e turizmit veror e dimëror në Kosovë e Shqipëri, theksoi Kryeministri
Në takim, të dy palët ndanë të njëjtin vullnet për forcimin e bashkëpunimit dhe në fushën e energjise, gjë që do të optimizojë përdorimin e burimeve natyrore të të dy vendeve dhe do të përmirësojë furnizimin me energji, rrjedhimisht do të mundësohet dhe zhvillimi i degëve të tjera të ekonomisë. Gjithashtu, Kryeministri Berisha dhe Ministri kosovar vlerësuan se marrëdheniet ne fushen e financave dhe te doganave garantojne standarte më të larta për lëvizjen e lirë të mallrave dhe zhvillim e mëtejshëm të ekonomive respektive.
Kryeminstri Berisha theksoi se të dy vendet duhet të punojnë intensivisht për të fituar kohën e humbur dhe të koordinojnë më mirë përpjekjet për zhvillimin e dy vendeve dhe afrimin e tyre me Evropën.
Ministri i Kosovës falënderoi Kryeminstrin shqiptar për mikpritjen dhe mbështetjen e gjithanshme që Shqipëria i jep Kosovës, duke përmendur dhe mbështetjen në përjekjet për arritjen e Statusit. Ai vlerësoi rëndësinë e projekteve që qeveria shqiptare tashmë ka filluar me Kosovën dhe kontributin e tyre të drejtëpërdrejtë në forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.
Të dy palët ndanë të njëjtin mendim se përfundimi i Statusit të Kosovës do të lehtësojë bashkëpunimim midis dy vendeve.