E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takohet në Davos me ministrin e Financave të Arabisë Saudite Ibrahim Abdulaziz Al-Assaf

Kryeministri Berisha zhvilloi sot, në Davos, në ambientet e Congress Centre ku zhvillohet Forumi Ekonomik Botëror, një takim me Ministrin e Financave së Arabisë Saudite, Ibrahim Abdulaziz Al-Assaf.

Në këtë takim, Kryeministri Berisha i përcolli përshëndetjet e tij më të sinqerta Mbretit të Arabisë Saudite, Abdullah.

Kryeministri Berisha i bëri Ministrit të Financave të Arabisë Saudite një panoramë të zhvillimeve ekonomike të Shqipërisë dhe të ecurisë së reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare. Kryeministri u shpreh se Shqipëria ka pasuri të mëdha natyrore, është e pasur në  minerale si në krom, nikel, baokside etj.. Gjithashtu, vijoi Kryeministri, Shqipëria ka risorse të mëdha në turizëm, me një shtrirje rreth 400 kilometra bregdet dhe shumë prej tyre ende të pazbuluara dhe të pa shfrytëzuara, si dhe potenciale të mëdha hidrike që duhen shfrytëzuar.

"Ne po bëjmë hapa të rëndësishëm në balancimin e prodhimit të energjisë, duke ndërmarrë projekte për energjinë nga gazi i lëngshëm termo-power, nga energjia e erës, etj., si dhe duke kryer investime të rëndësishme në hidroprodhim. Qeveria shqiptare është një qeveri e dëshirës së mirë për të mbështetur çdo investim për zhvillim nga Arabia Saudite dhe vende të tjera," tha më tej Kryeministri Berisha.

Ministri i Financave të Arabisë Saudite, duke vlerësuar potencialet e mëdha hidrike, por edhe potencialet e tjera të Shqipërisë për prodhimin e energjisë, u shpreh se  Arabia Saudite, në bashkëpunim me vendet e tjera në këtë rajon, do të bëjë përpjekje për të krijuar mundësinë që Shqipëria të përfitojë nga fondet për kredi me konçension, për të realizuar investime të mëdha në fushën e energjisë. Për këtë, Arabia Saudite do të japë shumë ndihmesë, tha ai.

Ministri i Financave të Arabisë Saudite Ibrahim Abdulaziz Al-Assaf vlerësoi gjithashtu se Shqipëria ka arritje shumë të mira në shndërrimin e saj në një vend të sigurt dhe tërheqës për investimet e huaja, nëpërmjet reformave të qeverisë dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit. Shqipëria, u shpreh ai, ka një stabilitet të admirueshëm ekonomik dhe kjo “na bën optimistë për të bashkëpunuar me ju”. Arabia Saudite, nënvizoi më tej  Ministri Ibrahim Abdulaziz Al-Assaf, është shumë e interesuar për investime në vendin tonë në fusha të ndryshme si, në turizëm dhe në energjetikë. Ne mund të kontribuojmë me investime direkte, me fonde tregtare investimi, me studime dhe ekspertë, si dhe me bashkëfinancime të projekteve të mëdha me qeverinë shqiptare, u shpreh ai.

Kryeministri Berisha e ftoi Ministrin e Financave të Arabisë Saudite Ibrahim Abdulaziz Al-Assaf të vizitojë Shqipërinë, ftesë e cila u pranua prej tij me kënaqësi.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›