E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha uron shqiptarët për Vitin e Ri 2010

TIRANE- Kryeministri Berisha ka uruar të gjithë shqiptarët me rastin e festave të fundvitit. Urimi i tij është publikuar në faqen zyrtare të kryeministrisë, ku Berisha shprehet: “Të dashur qytetare e qytetarë shqiptarë, bashkëkombëse dhe bashkëkombës të mi, kudo që ndodheni!Ora me akrepat e saj do të shënojë pas pak çastesh, ndërrimin e viteve, momentin që po presim me padurim për të përqafuar dhe për të uruar me ngrohtësi, dashuri, miqësi dhe respekt njëri tjetrin. Unë, sonte, si familjar, prind, mik shok, dashamirës, bashkëqytetar, por edhe kryeministër i juaj, vij pranë jush në këtë festë dhe dua që urimin tim më të përzemërt si dhe atë, të familjes sime dhe të qeverisë shqiptare për secilin prej jush, ta bashkoj me qindra dhe mijëra mesazhe urimi që ju merrni me letra, kartolina, sms, telefonata, facebook nga më të dashurit tuaj:Gëzuar Vitin e Ri 2010!” Berisha ka uruar një vit të mbarë, të mbushur me shëndet, seksese dhe mbarësi për të gjitha familjet shqiptare, kudo që ndodhen. “Le të jetë ky vit plot gëzime, mirësi, shëndet, suksese dhe mbarësi për ju dhe familjet tuaja dhe të gjithë të dashurit e zemrës tuaj kudo që ndodheni dhe festoni sonte në vatrat familjare, në lokale me shokë dhe miq brenda apo jashtë vendit në udhëtime, në detyrë në Shqipëri apo jashtë saj në misione diplomatike, apo misione paqeruajtëse, në Afganistan, çad, Bosnjë etj, në spitale, institucione të vuajtjes së dënimit.” Në urimin e tij Kryeministri i vendit ka përmendur edhe arritjet e qeverisë së tij në vitin 2009. “Të dashur qytetare dhe qytetarë, viti që lamë pas ishte një vit i madh dhe i bekuar, në të cilin ne së bashku realizuam ëndrra dhe projekte madhore dhe kjo na mbush me besim, krenari dhe shpresë dhe siguri, se viti që vjen do të jetë një vit i bardhë edhe më i madhi për ne shqiptarët, një vit në të cilin, ne do të shndërrojmë në realitet ëndrrën tonë shekullore të lëvizjes së lirë pa viza në Europë. Vit në të cilin me përpjekje të përbashkëta do të krijojmë më shumë vende pune, do të rrisim më shumë rrogat dhe pensionet, do të përmirësojmë shërbimet ndaj jush, do të zvogëlojmë më shumë varfërinë. Shqipëria do të ecë e sigurt drejt kandidaturës për anëtare e Bashkimit Evropian.” “Gëzuar vitin 2010, një vit të mbarë për çdo njërin prej jush, miqtë dhe të dashurit tuaj, kudo në botë. Shëndet, gëzime dhe mirësi për të gjithë ju dhe për Shqipërinë. Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja dhe shqiptarët kudo që janë. Zoti e bekoftë Shqipërinë! Gëzuar!” përfundon Kryeministri Berisha.(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›