Viti i Ri, bluzat e bardha, policët e zjarrfikësit, në gadishmëri
TIRANE- Mbrëmja e ndërrimit të viteve jo për të gjithë njerëzit do të jetë një festë. Vec atyre që do të festojnë ardhjen e Vitit të Ri, do të ketë shumë njerëz të profesioneve të ndryshme që iu duhet të punojnë. Natën e ndërrimit të viteve këtyre personave që ndodhen në krye të detyrës do t´ju mungojë tavolina dhe ngrohtësia familjare. Më të sakrifikuarit të këtë mbrëmje janë bluzat e bardha, forcat e rendit, ato të zjarrfikësve etj. Për të gjithë këto kategori nata 31 dhjetor dhe 1 janar janë njësoj si të gjitha ditët e tjera të punës, madje me më shumë intensitet. Aksidentet, abuzimi me ushqimet, alkooli dhe djegiet nga fishekzjarret janë problemet më të shpeshta që kanë qytetarët me rastin e vitit të ri. Për këtë arsye, mjekët që punojnë në repartin e Urgjencës apo Djegie-Plastikës do të jenë në krye të detyrës edhe më tepër të angazhuar. Duke u nisur nga këto, përvec bluzave të bardha edhe punonjësit e rendit janë të njoftuar dhe të paralajmëruar, që të presin dhe të përcjellin të gjitha rastet e urgjencave, duke qëndruar në punë si cdo ditë. Policia rrugore pritet të luajë një rol tepër të rëndësishëm, duke pasur parasysh që jo vetëm gjatë ditës, por edhe pas mesnate trafiku dhe bllokimi i qarkullimit është i paevitueshëm. Në tavolinën e natës së ndërrimit të viteve, në familjet e tyre do të mungojnë edhe kamarierët, guzhinierët, aktorët e humorit si dhe këngëtarë e muzikantë, të cilët do të duhen të krijojnë atmosferë në ambiente të ndryshme, në lokale, restorante e klube nate. Në punë deri në orët e vona të mbrëmjes do të jenë edhe gazetarët, taksistët, supermarketit, parukierët. Pra për shumë njerëz të profesioneve të ndryshme, 31 dhjetori nuk do të jetë një festë, por një ditë intensive dhe me më shumë angazhime pune.(m.a/News24/BalkanWeb)