E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano është takuar sot në selinë e Këshillit të Ministrave në Tiranë, me Kryeministrin e Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan dhe delegacionin që e shoqëron. Fill

Kryeministri Fatos Nano është takuar sot në selinë e Këshillit të Ministrave në Tiranë, me Kryeministrin e Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan dhe delegacionin që e shoqëron. Fillimisht, zoti Nano dhe zoti Erdogan zhvilluan një takim të veçantë (tet-a-tet) dhe më pas u zhvilluan bisedimet zyrtare midis dy delegacioneve.

Në takim dy personalitetet e larta rikonfimuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes të dy vendeve tona, dialogun shumë të mirë politik në nivele të larta dhe forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomiko tregtar dhe hapat konkretë që duhet të hidhen në këtë drejtim. Në qendër të bisedimeve ishin gjithashtu çështjet që lidhen me integrimin e të dy vendeve në BE, si dhe zhvillimet në rajon, bashkëpunimi dhe proceset integruese rajonale.

Pas këtij takimi dy Kryeministrat dolën përpara medias në një konferencë për shtyp, ku fillimisht z.Nano dhe z.Erdogan dhanë një deklaratë mbi çështjet e diskutuara në takim:

Kryeministri Fatos Nano: Vizita zyrtare e mikut dhe kolegut Recep Tayyip Erdogan, është tregues i nivelit shumë të lartë politik dhe i marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve tona. Ajo po nxit fuqishëm bashkëpunimin në të gjitha fushat, veçanërisht ato ushtarake, ekonomike dhe kulturore.

Marrëdhëniet shqiptaro-turke mbështeten në një numër të madh marrëveshjesh dhe traktatesh reciproke. Një element i rëndësishëm dhe i pazëvendësueshëm në këto marrëdhënie është numri i madh i qytetarëve me origjinë shqiptare që me punën dhe kontributin e tyre për shtetin turk gëzojnë respektin dhe miqësinë e shoqërisë turke.

Shfrytëzoj rastin që në emër të qeverisë dhe të popullit shqiptar ti shpreh sërish mirënjohjen qeverisë dhe popullit vëlla turk për mbështetjen e pakursyer që na kanë dhënë jo vetëm në situata apo vite të vështira, por dhe për ndihmën dhe kontributin e pazëvendësueshëm dhe të rëndësishëm në rritjen dhe integrimin tonë global.

Do të përmendja në mënyrë të veçantë modernizimin e ushtrisë shqiptare, ku Turqia është ndër kontribuesit më të më mëdhenj me më shumë se 80 milionë dollarë. Kryeministri Erdogan më rikonfirmoi mbështetjen e pakursyer të qeverisë dhe të vendit të tij për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Me këtë rast, më lejoni të falënderoj edhe deputetet turq të pozitës dhe opozitës, një pjesë e të cilëve janë të pranishëm në delegacionin e Kryeministrit Erdogan, që miratuan në 22 qershor 2004 rezolutën në mbëshjtetje të pranimit në NATO të vendeve të Kartës së Adriatikut.

Ky bashkëpunim i shkëlqyer strategjik po rrit dukshëm rritjen e shkëmbimeve ekonomike mes dy vendeve tona. Turqia po vendoset dhe po konsolidohet në tregun e shkembimeve me jashtë të Republikës së Shqipërisë dhe të investimit të kapitaleve të huaja. Shkëmbimet tregëtare janë në shifren e 160 milionë dollarë këto dy vitet e fundit dhe investime direkte të kapitali turk në Shqipëri kapërcejnë nivelin e 80 milionë dollarëve te cilat duhen nxitur.

Shumë i rëndësishëm është bashkëpunimi në fushën e rendit, transportit, arsimit, shëndetësisë dhe veçanërisht të studimeve universitare dhe pasuniversitare.

Së fundi, më lejoni të shpreh me shumë kënaqësi vlerësimin zyrtar të qeverisë së Republikës së Shqipërisë për arritjet e Turqisë në procesin e integrimit në Bashkimin Europian dhe për anëtarësimin e saj si një një ogur i mirë edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Kryeministri Erdogan: Të nderuar përfaqësues të shtypit. Sot ndodhem këtu në Shqipëri bashkë me një delegacion të madh, duke iu përgjigjur ftesës që më bëri miku im Fatos Nano. Vizita ime në Shqipërinë motër dhe mike, si për mua, si për anëtarët e delegacionit na ka krijuar një emocion të veçantë. Une si Kryeministër vij pas një periudhe 5 vjecare, nga vizita e fundit e një Kryeministri turk në Repuplikën e Shqipërisë.

Lidhjet tona janë solidare. Midis nesh nuk ka asnjë problem. Lidhjet tona miqesore, karakteristikat tona të përbashkëta kulturore mbështeten në thellësitë e shekujve. Në përgjithësi Ballkani, dhe në mënyrë të veçantë Shqipëria, zë tashme një vend me përparësi në politikën e jashtme të Turqisë. Turqia këto 15 vitet e fundit i ka dhënë mbështetjen e duhur Shqipërisë në çdo fushë.

Kjo mbështetje do të vazhdojë edhe në të ardhmen në të gjitha fushat. Ne e konfirmuam edhe një herë këtë, si në takimin e ngushtë që pata me mikun tim, ashtu edhe në takimin midis dy delegacioneve. Bisedimet që patëm ishin shumë të dobishme.Çfarë do të bëjmë në të ardhmen kjo i përket dy vendeve tona.

Në fakt, ndame të njëjtin mendim se është një shifër e vogël që vëllimi tregtar midis dy vendeve është 160 milion dollarë. Takimet që do të zhvillojnë biznesmenët, të cilët më shoqërojnë në këtë vizitë, punimet e Këshillit të Biznesit turko-shqiptar, sigurisht që do t'i japin një hop të ri këtij bashkëpunimi dhe secila palë do t'i mbështesë ata, ky është kusht që ne bashkërisht kemi vendosur.

Sot u nënshkrua edhe marrëveshja në fushën e transportit detar. Kjo ishte një mangësi që ende nuk e kishte marrë formën e saj ligjore. Në këtë mënyrë ne eleminuam këtë mangësi që vihej re në marrëdhëniet midis nesh. Bashkë me mikun tim të nderuar do t'i drejtohemi përfaqësuesve të Këshillit të Biznesit. Në këtë takim ne do të diskutojmë për aspektin ekonomiko-tregtar të marrëdhënieve tona. Do të kemi rastin që të bëjmë një vlerësim për ta thelluar më tej bashkëpunimin tonë.

Gjatë bisedimeve tona ne patëm rastin të trajtojmë gjithashtu çështjet rajonale dhe ato ndërkombëtare. Siç ia konfirmova edhe mikut tim, Turqia është tepër e vendosur të japë çdo mbështetje për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, pasi kjo është e rëndësishme dhe një avantazh strategjik edhe për vetë rajonit. Dhe ne kemi bindjen se kjo gjë duhet bërë. Ne vazhdojmë të kemi një bashkëpunim të dobishëm me Shqipërinë edhe në kuadrin e inisiativave rajonale si inisiativa e Bashkëpunimnit Ekonomik të Detit të Zi, bashkëpunimi midis vendeve të Europës Juglindore etj.

Shqipëria është një vend, i cili ndodhet në një pozitë kyç në Ballkan. Me politikën e saj të ekuilibruar dhe të matur po e ruan këtë veçori dhe tiparin e saj si faktor kryesor politik në Ballkan. Dhe kjo është shprehja më kuptimplotë për të kontribuar për paqen globale, është një mbështetje për forcimin e paqes e të stabilitetit. Me këtë qëndrim Shqipëria po luan një rol të rëndësishëm edhe në kuadrin e integrimit të saj në Europë dhe në të gjitha institucionet euroatlantike. Unë kam bindjen se vizita e sotme do të konsolidojë më tej solidaritetin midis Turqisë dhe Shqipërisë.

Në emrin tim, të qeverisë që unë drejton dhe të popullit turk ju përshëndes dhe ju shpreh konsideratat e mia më të larta.

Pyetje për Kryeministrin turk: Si mund ta ndihmojë Turqia Shqipërinë për anëtarësimin e saj në NATO?

Z.Erdogan: Qoftë në samitet e NATO-s apo në takimet e tjera të saj, ne do të mbështetsim kandidaturën e Shqipërisë për anëtarësimin e saj në NATO. Mbështetja jonë do të jetë e gjithanshme dhe ne kudo do të jemi avokatë të hyrjes së Shqipërisë në NATO.

Pyetje për Kryeministrin shqiptar: Përsa i përket bashkëpunimit rajonal, cilat janë fushat ku Shqipëria mund të bashkëpunojë me Turqinë gjatë këtij viti, duke patur parasysh faktin se ky vit ështe shumë i rëndësishëm edhe për statusin final të Kosovës?

Z.Nano: Kryeministri Erdogan ndoqi me vëmendje vlerësimet e mia për gjendjen në rajon. Bashkëpunimi rajonal është një nga prioritetet e dialogut tonë politik. Siç e theksoi dhe Kryeministri Erdogan dhe qeveria e Turqisë e vlerëson mjaft pozitivisht rolin konstruktiv të qeverisë së Shqipërisë në marrëdhëniet rajonale dhe në bashkëpunimin dhe integrimin rajonal. Ne ndajmë të njëjtat pikëpamje për të ardhmen e rajonit dhe integrimit të tij europian, si dhe mbështesim formulën europiane për Kosovën dhe ne do te punojme per te kontribuar ne kete drejtim.

I theksova Kryeministrit Erdogan se ajo që po ndodh me kontributin e tij të drejtëpërdrejtë në dialogun Ankara-Athinë për kapërcimin e problemeve të së kaluarës dhe vendosjen e një partneriteti të rëndësishëm për rajonin gjithashtu, po ndodh edhe në marrëdhëniet Tiranë-Beograd, si një nga elementet e dialogut e të bashkëpunimit rajonal, i rëndësishëm për të ardhmen e Ballkanit në Europë.

Pyetje për Kryeministrin shqiptar: Cili është qendrimi juaj për eleminimin e izolimit të Republikës turke të Qipros së Veriut dhe a do të hidhni ndonjë hap në këtë drejtim?

Z.Nano: Ne ndjekim me vëmendje politikën e qeverisë turke dhe angazhimin e BE edhe në drejtim të Qipros. Unë personalisht kur kam vizituar Turqinë kam hedhur sytë me shumë vëmendje edhe përtej murit të vjetër. Besoj se bisedimet dhe marrëdhëniet e qeverisë së Turqisë me BE, si dhe qëndrimi shumë i qartë i Kryeministrit Erdoan për çështjen e Qipros është një realitet për t'u admiruar dhe për të punuar sëbashku që integrimi i rajonit në Europë të thyejë dhe muret që kanë mbetur.

Pyetje për Kryeministrin turk: A u identifikua sot ndonjë fushë e re në marrëdhëniet ekonomike midis dy vendeve?

Z.Erdoan: Ne sollëm këtu biznesmenët tanë dhe të dy sëbashku do t'i drejtohemi edhe Këshillit të Biznesit turko-shqiptar. Do të ketë gjithashtu bisedime edhe midis biznesmenëve turq me ata shqiptarë. Vlerësimi për pjesëmarrjen e tyre në procesin e privatizimeve në Shqipëri u përket vetë biznesmenëve tanë, sepse ata e kuptojnë shumë mirë qarin dhe zararin, pra fitimim dhe humbjen. Ne vetëm i nxisim ata. Exim Bank po studion mundësinë që të sjellë 10 milion dollarë për investimet e reja në Shqipëri. Dhe kjo do të jetë një nxitje e re për biznesmenët turq.

Pyetje për Kryeministrin shqiptar: A u pa sot mundësia e pjesëmarrjes së investitorëve turq në privatizimet strategjike në Shqipëri?

Z.Nano: Ne mbajtëm të dy shënim me vëmendjen e duhur shtimin e numrit dhe të cilësisë së kompanive turke që shoqërojnë rritjen dhe hapjen tonë ekonomike. Prezenca e kompanive turke në Shqipëri shtrihet në sektorë shumë të rëndësishëm që nga minierat, metalurgjia, industria ushqimore e tekstileve e deri tek bankat e privatizimi i tyre. Është një fakt i rëndësishëm që një konsorcium me Turkish Telekom në përbërje është regjistruar, duke afishuar interesin e tij në privatizimin e Albtelekomit.

Publiku shqiptar e di që kompanitë turke në gara ndërkombëtare për financime publike të buxhetit apo të donatorëve në Shqipëri janë paraqitur shumë të suksesshëm. Mua më rezulton se për shkak të këtij bashkëpunimi dhe mirëkuptimi të të dy qeverive tona tashme po shtohet qari dhe po pakësohet zarari.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›