E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano është pritur sot, në Paris, në një takim të veçantë, nga Presidenti i Senatit, Christian Poncelet, në selinë e senatit francez. Në takimin dhe pritjen zyr

Kryeministri Fatos Nano është pritur sot, në Paris, në një takim të veçantë, nga Presidenti i Senatit, Christian Poncelet, në selinë e senatit francez.

Në takimin dhe pritjen zyrtare, ku merrnin pjesë edhe senatorë të tjerë, z. Poncelet gjatë fjalës me këtë rast, e vlerësoi vizitën e Kryeministrit Nano si momentin më të rëndësishëm dhe historik në marrëdhëniet mes Francës dhe Shqipërisë. Ai deklaroi mbështetjen politike të Francës në rrugën e integrimit europian të Shqipërisë. "Me padurim presim t'ju shohim në Europë", deklaroi z.Poncelet. Gjithashtu, ai vlerësoi progresin në vend dhe rolin e rëndësishëm moderator që Shqipëria ka luajtur dhe vazhdon të luajë në rajon për stabilitetin, paqen dhe prosperitetin e Ballkanit.

Ndërsa, Kryeministri Nano në fjalën e tij vlerësoi se lidhjet midis Francës dhe Shqipërisë ndikojnë dhe ndihmojnë në forcimin e bashkëpunimit midis dy vendeve. "Shqipëria dhe shqiptarët janë mirënjohës për mbështetjen që Franca, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo nëpërmjet strukturave të Bashkimit Europian, i ka ofruar Shqipërisë për një dekadë e gjysëm, në përpjekjet e saj për një transformim rrënjësor drejt një shoqërie demokratike", u shpreh zoti Nano, duke theksuar vullnetin e plotë për forcimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të partneritetit midis dy vendeve.

Duke u ndalur në zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike midis dy vendeve tona, zoti Nano u shpreh se është koha e duhur për nxitjen e mëtejshme të tyre. "Ne, - tha Kryeministri Nano, - dëshirojmë të zgjerojmë bashkëpunimin për një pjesmarrje ekonomike më të madhe franceze në vendin tonë dhe jemi të gatshëm të zhvillojmë me tej bashkëpunimin në çështjet e turizmit, në fushën e energjisë, në infrastrukturë, etj". Në këtë aspekt Presidenti i Senatit Francez u shpreh se "falë reformave kurajoze strukturore të ndërrmarra nga Qeveria Shqiptare në këto vite, situata ekonomike e vendit tuaj është përmirësuar së tepërmi ndaj dhe shkëmbimet tregtare mes të dy vendeve duhet të intensifikohen më tej".

Bashkëpunimi ndërparlamentar u konsiderua nga bashkëbiseduesit si një tjetër faktor i rëndësishëm në bashkëpunimin mes të dy vendeve tona.

Lidhur me vlerësimet e bëra për Qeverinë Shqiptare dhe rolin e saj moderator në rajon Kryeministri Nano u shpreh se "Ne jemi të vetëdijshëm që vetëm përmes një bashkëpunimi të ngushtë mes të gjitha vendeve të rajonit, jo vetëm që do ta fshijmë më shpejt të shkuarën konfliktuale, por do të ndikojmë pozitivisht edhe në të tashmen duke konsoliduar të ardhmen. Ky është investimi ynë më i mirë për një të ardhme europiane të Europës Juglindore".

Në fund të takimit zoti Poncelet e ftoi Kryeministrin Nano të lërë një mesazh në Librin e Nderit të Senatit Francez.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›