Kryeministri Fatos Nano ka qenë i pranishëm dje në sallën e Kongresit amerikan, gjatë votimit të rezolutës 558 për anëtarësimin e tre vendeve të Kartës së Adriatikut në NATO para vitit 2
Kryeministri Fatos Nano ka qenë i pranishëm dje në sallën e Kongresit amerikan, gjatë votimit të rezolutës 558 për anëtarësimin e tre vendeve të Kartës së Adriatikut në NATO para vitit 2007. Menjëherë pas votimit, Kryeministri Nano deklaroi për median se "votimi ishte pothuaj unanim, 422 me 2, një pjesëmarrje shumë e lartë dhe një mbështetje fantastike në Kongresin amerikan për anëtarësimin para vitit 2007 edhe të Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kroacisë, të vendeve të Kartës së Adriatikut, për shkak të progresit të bërë. Kjo është një ngjarje tjetër historike që shoqëron vizitën time këtu pas ceremonisë në Shtëpinë e Bardhë, ku Presidenti Bush kërkoi të njëjtën gjë".
I pyetur për faktorët që kanë ndikuar në arritjen e një vendimi të tillë, zoti Nano u shpreh se "është e qartë që Shqipëria ëshë kontribuese në sigurinë rajonale dhe globale, nuk është më konsumatore e sigurisë euroatlantike për rajonin. Është e qartë që ky është një shpërblim për kontributet tona në koalicionin global të luftës kundër terrorizmit, apo për progresin tonë në luftën kundër kriminalitetit, trafiqeve, për paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Është e qartë, kjo përbën një vlerësim për efikasitetin e partneritetit të tre vendeve të Kartës së Adriatikut me SHBA, është një vlerësim i përgjithshëm për përafrimin e institucioneve dhe të shoqërisë sonë me standartet e botës perëndimore, përfshi dhe ato të BE".
Lidhur me detyrat që i dalin Shqipërisë që nga ky moment deri në anëtarësimin e plotë në NATO, zoti Nano tha: "natyrshëm që ne do ta përdorim këtë mbështetje të merituar dhe të jashtëzakonshme politike për Shqipërinë dhe progresin e saj historik drejt botës euroatlantike për të përshpejtuar akoma më shumë reformat dhe për të kërkuar që të gjithë të kontribuojnë në të, qeveri apo opozitë, shoqëri civile apo sipërmarrës. Unë besoj se ky vokacion i të gjithë botës shqiptare ndaj perëndimit dhe Shteteve të Bashkuara meriton një konsensus gjithnjë e më të gjërë dhe të patundshëm në të gjithë spektrin parlamentar të vendit".