E Diel, 1 Nëntor 2026

-Kryeministri Nano i përgjigjet edhe interesimit të gazetarëve shqiptarë, të pranishëm në këtë eveniment- Kryeministrat, pjesëmarrës në ceremoninë në Shtëpinë e Bardhë, dhanë njÃ

-Kryeministri Nano i përgjigjet edhe interesimit të gazetarëve shqiptarë, të pranishëm në këtë eveniment-

Kryeministrat, pjesëmarrës në ceremoninë në Shtëpinë e Bardhë, dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp në National Press Club në Uashington, ku Kryeministri Nano deklaroi:

"Dëshiroj të jem po aq i hapur sa Presidenti Bush, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s dhe liderët e tjerë të shquar këtë pasdite.Çdo shqiptar përshëndet këtë ditë, kur 7 nga 10 vendet e Grupit të Vilnusit iu bashkua NATO-s si anëtarë me të drejta të plota. Dhe ne, tre të tjerët, jemi afër këtij qëllimi. Unë besoj se jemi në rrugën e duhur për të përmirësuar edhe Ballkanin.

Tani ne po marrim vendime të rëndësishme për zgjedhjet, demokracinë, shtetin ligjor dhe ekonominë e tregut. Ne e dimë mirë, ta meritosh NATO-n dhe anëtarësimin në BE, ky është çelësi. Ne duhet të luftojmë për ta fituar atë, të luftojmë për lirinë dhe kundër terrorizmit. Eshtë kjo që na udhëheq për në NATO, për tu radhitur midis kampionëve të demokracisë.

Ne tashmë jemi kontribues në çështjet e sigurisë dhe jo thjesht konsumatorë. Në këto çaste forcat komando shqiptare po luftojnë për lirinë dhe kundër terrorizmit në divizionin ajror 101 në Mosul dhe në Afganistan me forcat e tjera aleate. Zotohem që Shqipëria do të vazhdojë të ushtrojë përgjegjësitë e saj, përfshirë edhe rolin e saj moderator si lider rajonal.

Një nga eksperiencat më të mrekullueshme që kemi fituar në 13 vjet të evolucionit demokratik është miqësia dhe aleanca, që i kemi vënë përballë izolimit të së shkuarës. Ne duhet të ruajmë fuqitë sekrete të partneritetit. Unë ju garantoj se ne do ta kthejmë vendin tonë të shquar në një shoqëri moderne. Sesa e rëndësishme është kjo dhe sesa e rëndësishme është Amerika për ne shkon përtej gjeopolitikës. Kjo është një ndjenjë që prek thellë shpirtin e çdo shqiptari".

Pyetje: Mund të thoni se ç'përfituan tre vendet e Kartës së Adriatikut nga kjo ditë?

Kryeministri Nano: Anëtarësimi në NATO do të thotë më shumë se modernizimi i një ushtrie. Kështu ne do të vazhdojmë të fokusohemi në çështje të tjera të rëndësishme që kanë të bëjnë me forcimin e institucioneve demokratike, forcimin e sistemit të drejtësisë. Ne do të vazhdojmë të luftojmë korrupsionin me të gjitha mjetet, në të njëjtën kohë do të vazhdojmë të luftojmë terrorizmin, ashtu siç kemi bërë deri tani bashkë me të gjithë aleatët tanë.

***

Po ashtu, Kryeministri Nano i është përgjigjur edhe interesimit të medias shqiptare, e pranishme në këtë eveniment.

Pas takimit me Presidentit të SHBA Xhorxh W. Bush, Kryeministri Nano tha se "kjo është një ditë shumë e madhe për historinë e të gjithë shqiptarëve dhe Shqipërisë sonë të shtrenjtë. Sot në Shtëpinë e Bardhë u ngrit flamuri shqiptar tre vendet tona të Kartës së Adriatikut u ftuan tashmë në paradhomën e NATO-s ku u anëtarësuan 7 vendet e Grupit të Vilnius. Me Presidentin Bush ndiejmë të njëjtën miqësi dhe partneritet, kemi ofruar të njëjtin zhvillim të dyerve të hapura të NATO-s dhe të komunitetit perëndimor për Shqipërinë dhe Ballkanin. Është një ditë që duhet ta ndajmë gëzimin me ju dhe nëpërmjet jush me të gjithë shqiptarët për këtë hap të madh drejt të ardhmes sonë të shkëlqyer". I pyetur mbi çështjet të cilat u diskutuan në takimin e Kryeministrit Nano me Presidentin Amerikan, zoti Nano u shpreh: "u fol për të gjitha aspektet që sjellin Aleancën tek ne, që transformojnë vendet tona dhe Ballkanin në prodhues të sigurisë dhe jo në konsumatorë të saj. U fol për progresin që ndodh edhe në përafrimin tonë me BE-në, i cili natyrshëm konsolidon partneritetin me Shtetet e Bashkuara dhe proçesin e anëtarësimit në NATO".

Lidhur me të ardhmen e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, zoti Nano nënvizoi se detyrat janë të qarta dhe koha nuk është e pafund. "Besoj se Samiti i Stambollit i qershorit të këtij viti do të konsolidojë mesazhin e partneritetit me vendet e Adriatikut, duke shpallur jo vetëm që dyert e Aleancës janë të hapura dhe tre vendet e Kartës së Partneritetit Adriatik-Shtetet e Bashkuara janë kandidatët e ardhshëm, në samitin e ardhshëm".

Përsa i përket angazhimeve të përbashkëta mes vendeve për anëtarësimin në NATO, zoti Nano u përgjigj: "ne jemi në një plan veprimesh të përbashkëta që lidh jo vetëm secilin nga vendet tona me NATO-n dhe me Shtabin e Përgjithshëm të saj, por dhe me njëri-tjetrin në kuadrin e partneritetit të Kartës së Adriatikut, i cili krahas detyrave të shtëpisë për modernizimin dhe strukturimin e Forcave të Armatosura, për forcimin e komponentëve të sigurisë, që krahas shtetit ligjor, forcojnë garancitë për një shoqëri të lirë dhe të hapur, për një shoqëri të drejtë ku qytetarët lëvizin bashkë me kapitalet, kursimet apo vlerat e tyra të mbrojtur nga ligji njëlloj si në vendet e tjera. Ka edhe veprimtari të tjera si ushtrime të përbashkëta, mbrojtja e përbashkët e kufijve, lufta e përbashkët ndaj krimit të organizuar dhe trafiqeve, të cilat na bëjnë të ndjehemi më të shumtë në numër dhe më cilësorë në efekte, në procesin e përafrimit dhe të arritjes së standarteve për anëtarësim edhe në NATO dhe në Bashkimin Europian".

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›