Zëvendëskryeministri Namik Dokle ka zhvilluar sot pasdite një takim me Ministrin e Shtetit të Turqisë, z. Beshir Atalay. Zëvendëskryeministri Dokle ka vlerësuar nivelin shumë të mir
Zëvendëskryeministri Namik Dokle ka zhvilluar sot pasdite një takim me Ministrin e Shtetit të Turqisë, z. Beshir Atalay.
Zëvendëskryeministri Dokle ka vlerësuar nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve midis të dy vendeve tona në të gjitha nivelet. Në këtë kuadër bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim lidhur me nxitjen dhe intensifikimin e dialogut politik në nivele gjithnjë e më të larta.
Z. Dokle në këtë takim ka shprehur vlerësimet për mbështetjen e Turqisë në procesin e integrimit të vendit tonë në NATO. Zëvendëskryeministri Dokle ka shprehur bindjen se "Samiti i NATO-s që do të mbahet në Stamboll në qershor të këtij viti ka për të përcjellë mesazhe të qarta lidhur me anëtarësimin, si dhe do të përvijojë një road map për të ardhmen. "Ne e shohim 2006 si një vit të anëtarësimit tonë në NATO, tha Z. Dokle, duke shtuar se ceremonia e djeshme e organizuar në Shtëpinë e Bardhë për 7 vendet e grupit të Vilniusit që u anëtarësuan me të drejta të plota në NATO, ishte tepër inkurajuese edhe për Shqipërinë".
Në këtë takim biseda u fokusua edhe në nivelin e marrëdhënieve ekonomike mes të dy vendeve tona, për të cilat z. Dokle dhe Ministri turk i Shtetit theksuan se përbën një domosdoshmëri nxitja dhe intensifikimi i mëtejshëm i shkëmbimeve tregtare, si dhe nënshkrimi i Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë.
Z. Dokle, gjithashtu, ka përshëndetur ndihmën e Qeverisë turke në fushën e Mbrojtjes dhe atë të Rendit Publik në funksion të reformimit dhe modernizimit të ushtrisë shqiptare, si dhe për bashkëpunimin e ngushtë dhe koordinimin e veprimeve të përbashkëta në luftën kundër terrorizmit, ku të dy vendet tona janë renditur përkrah njëri-tjetrit.
Nga ana e tij Ministri turk i Shtetit z. Beshir Atalay shprehu vullnetin politik të qeverisë turke për të mbështetur në çdo hap Qeverinë Shqiptare në rrugën e saj drejt integrimit të sigurt në strukturat euroatlantike.
Z. Atalay tha se Shqipëria ka bërë një progres të dukshëm përpara në procesin e integrimit të saj në NATO dhe Bashkimin Europian.