E Diel, 1 Nëntor 2026

Zëvendëskryeministri Namik Dokle ka pritur sot në një takim të veçantë Zëvendëskryeministrin e Bullgarisë, z.Nikolai Vasilev. Në fillim të këtij takimi, Zëvendëskryeminis

Zëvendëskryeministri Namik Dokle ka pritur sot në një takim të veçantë Zëvendëskryeministrin e Bullgarisë, z.Nikolai Vasilev.

Në fillim të këtij takimi, Zëvendëskryeministri Dokle shprehu kënaqësinë për nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Bullgarisë, të cilat mbështeten mbi baza historike dhe tradicionale. Z. Dokle ka siguruar se Qeveria Shqiptare ka të gjithë vullnetin politik për intensifikimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve në të gjitha fushat me interes reciprok.

Zëvendëskryeministri Dokle i ka shprehur urimet më të mira homologut të tij bullgar për anëtarësimin me të drejta të plota të Bullgarisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Në këtë kuadër z. Dokle ka vënë në dukje se shkëmbimi i eksperiencave në rrugën e përbashkët të integrimit përbën një domosdoshmëri për një të ardhme të sigurtë dhe progres të përbashkët rajonal.

Nga ana e tij Zëvendëskryeministri bullgar theksoi se Shqipëria do të ketë të gjithë mbështetjen e qeverisë bullgare në rrugën e saj të integrimit në NATO dhe BE, qoftë përmes ndarjes së informacionit ashtu edhe përmes shkëmbimit të eksperiencave në nivel ekspertësh dhe më gjerë, për një integrim sa më të shpejtë të Shqipërisë në strukturat euroatlantike.

Z. Vasilev vlerësoi hapat e rëndësishme të ndërrmarra nga Qeveria Shqiptare në fushën e reformave, si dhe progresin e arritur në zhvillimin e vendit dhe përgatitjen e tij për integrim në strukturat euroatlantike.

Z. Dokle shprehu gjithashtu, përshëndetjet e Qeverisë Shqiptare për Kryesinë e Radhës së OSBE-së nga ana e Republikës së Bullgarisë dhe e siguroi z. Vasilev për një bashkëpunim aktiv të vendit tonë në përmbushjen me sukses të kësaj detyre të rëndësishme.

Një tjetër çështje e diskutuar në këtë takim ka qenë edhe ajo për krijimin e një Shengeni Ballkanik. Sipas z. Dokle kjo do t'i jepte një impuls të ri lëvizjes së lirë të njerëzve dhe të mallrave dhe mbetet një ndër prioritetet e Qeverisë Shqiptare. "Duke u integruar së pari me njëri-tjetrin, ne do të përshpejtojmë integrimin e përbashkët në Europë. Kjo është një rrugë që duhet ta bëjmë bashkarisht për të qenë pjesë e Europës së Bashkuar", tha z. Dokle.

Gjithashtu, Zëvendëskryeministri bullgar ka theksuar faktin se Shqipëria është një faktor stabiliteti dhe paqeje në rajonin tonë.

Duke u ndalur në çështjet e bashkëpunimit ekonomik mes vendeve tona, të dy autoritetet e larta ndanë të njëjtin opinion se ka hapësira dhe mundësi të mëdha për t'u shfrytëzuar në funksion të intensifikimit të bashkëpunimit në sektorë të tillë si infrastruktura rrugore dhe ajo ajrore, shkëmbimet tregtare, si dhe në nxitjen dhe inkurajimin e investimeve private mes bizneseve të të dy vendeve tona.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›