-Kryeministri Nano merr pjesë në takimin e organizuar nga Qëndra për Politika Perëndimore me temë "Shqipëria, Ballkani dhe proçeset e integrimit euro-atlantik"- Kryeministri Fato
-Kryeministri Nano merr pjesë në takimin e organizuar nga Qëndra për Politika Perëndimore me temë "Shqipëria, Ballkani dhe proçeset e integrimit euro-atlantik"-
Kryeministri Fatos Nano ka marrë pjesë sot, në takimin e organizuar nga Qëndra për Politika Perëndimore me temë "Shqipëria, Ballkani dhe proçeset e integrimit euro-atlantik".
Në fjalimin e mbajtur me këtë rast, Kryeministri Fatos Nano është shprehur se Shqipëria e ka lënë pas të kaluarën misterioze dhe të heshtur, kufijtë e mbyllur dhe të paprekshëm, izolimin dhe armiqësinë, skllavërimin e gjysëmshekullit totalitarist. Tashmë është ngritur një demokraci e re në Europën Juglindore e cila është jashtëzakonisht krenare që renditet mes demokracive të reja në botë.
Kryeministri, në fjalën e tij, theksoi se në jemi ende duke pastruar pluhurin toksik të totalitarizmit që helmoi kulturën dhe shoqërinë tonë. "Shqipëria është e angazhuar që siguria e vendit dhe suksesi i tij, janë të lidhura me sigurinë dhe suksesin e të gjithë rajonit tonë, tha Kryeministri- duke shtuar se, në rajonin tonë të gjithë ne përballemi me probleme të njëjta dhe të vështira dhe ne kemi mësuar t'i përballojmë ato sëbashku. Në shekullin e 21-të Bota nuk mund të funksionojë ndryshe".
Zoti Nano tha se shqiptarët ndihen shumë krenarë që renditen mes miqve të Shteteve të Bashkuara. "Ju jeni miqtë tanë të vërtetë dhe ne e themi solemnisht se jemi miqtë tuaj të vërtetë me fjalë dhe vepra", u shpreh ai.
Kryeministri Nano e vlerësoi si një nder të madh takimin e tij të djeshëm me Presidentin Bush dhe angazhimin e tij për t'i mbajtur hapur dyert e NATO-s për ne, si dhe për të punuar sëbashku në rrugën tonë drejt Aleancës së Atlantikut të Veriut.
"Dje në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa ne festuam anëtarësimin e europianëve më të rinj në NATO, unë u ndjeva shumë krenar për rrugën që ka përshkuar Shqipëria dhe përparimin që ajo ka bërë", tha Kryeministri Nano.
Sipas Kryeministrit Nano, kemi përshkuar fazën e parë të vështirë të lirisë në Shqipëri. Ne jemi duke ndërmarrë vendime dhe veprime të rëndësishme për të forcuar demokracinë, ligjin dhe një ekonomi tregu të lirë. Prioritetet e politikës së jashtme të Shqipërisë, sipas Kryeministrit Nano, janë arritja e një anëtarësimi të plotë në Bashkimin Europian dhe në NATO, si dhe garantimi i sigurisë ekonomike dhe asaj fizike për të gjithë qytetarët.
Më tej, në fjalën e tij, Kryeministri Nano theksoi se Shqipëria e do Amerikën dhe atë që ajo përrfaqëson. "Kjo ishte dhe arsyeja që ne ishim ndër të parat vende në Botë që iu bashkuam Koalicionit të Vullnetit. Ne jemi të vendosur dhe të palëkundur në angazhimin tonë. Ne i dimë kostot e brutalitetit, ne e dimë që duhen ndërmarrë shumë veprime dhe ashtu sikurse ju jeni të gatshëm të përballeni me rrezikun për të mbrojtur të tjerët, ashtu jemi dhe ne", tha Z.Nano.
Kryeministri Nano duke iu referuar vizitës së tij në fundit në Madrid, ku mori pjesë në ceremoninë për nder të viktimave të sulmeve terroriste të 11 Marsit, rikonfirmoi se Shqipëria është një aleate besnike përballë të gjitha kërcënimeve terroriste. "Terrorizmi nuk ka shtëpi dhe portë në një shoqëri të civilizuar. Ne nuk mundet që vetëm të shpresojmë që ai të largohet, por ne duhet të veprojmë që ta detyrojmë atë të largohet". Në këtë kuadër, Kryeministri tha se kjo na bën ne të insistojmë në kërkesën tonë për t'u bërë pjesë e NATO-s dhe për t'u renditur mes kampionëve të demokracisë. Tashmë ne jemi kontribues në arenën e sigurisë dhe jo konsumatorë, shtoi Kryeministri Nano.
Duke u ndalur në situatën e fundit të krijuar në Kosovë, Kryeministri Nano tha se ne do të bëjmë gjithçka që mundemi, pavarësisht nga kosto, për të qetësuar tensionet dhe për të ndihmuar në vendosjen e paqes. "Dhuna nuk është kurrë nëna e paqes. Vetëm një proçes paqësor mund të prodhojë paqe të vërtetë dhe ne jemi të angazhuar për ta bërë këtë".
Lidhur me bashkëpunimin rajonal, Kryeministri Nano rikonfirmoi se Shqipëria do të vazhdojë të luajë një rol moderator në rajon, do të vazhdojmë të ndajmë përgjegjësitë tona, të nxisim iniciativa në të mirë të paqes dhe stabilitetit, si dhe të punojmë për një të ardhme më të mirë.
Gjithashtu, Z.Nano bëri të njohur luftën dhe veprimet konkrete që Qeveria Shqiptare ka ndërmarrë kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe trafiqeve ilegale, duke vlerësuar në mënyrë të veçantë bashkëpunimin mes strukturave të specializuara në këtë fushë të vendeve të ndryshme të rajonit.
"Shqipëria është maksimalisht e angazhuar për të qenë një fqinj i mirë dhe një anëtar i përgjegjshëm i komunitetit ndërkombëtar. Ne jemi gati të punojmë me fqinjët tanë për të siguruar paqen, prosperitetin dhe zhvillimin", u shpreh Z.Nano.
Sot pasdite, Kryeministri Fatos Nano do të takohet në Uashington me Kryetarin e maxhorancës në Dhomën e Përfaqësuesve, Tom Delay. Më pas, Kryeministri Nano do të takohet me dhjetë kongresmenë amerikanë, dy prej të cilëve kanë qënë iniciatorë të Rezolutës për pranimin e Shqipërisë në NATO.