Kryeministri Fatos Nano ka zhvilluar sot një takim me drejtues të lartë të Shoqërisë turistike franceze "Club Mediterrane", kryesuar nga zv.Presidenti Bertrand J. Leferriere. Gjatë këtij
Kryeministri Fatos Nano ka zhvilluar sot një takim me drejtues të lartë të Shoqërisë turistike franceze "Club Mediterrane", kryesuar nga zv.Presidenti Bertrand J. Leferriere.
Gjatë këtij takimi, përfaqësuesit e kësaj kompanie e kanë njohur kryeministrin me aktivitetin e saj, një ndër më të mëdhatë në fushën e turizmit me një aktivitet të shtrirë në më shumë se 40 vende të botës. Ata kanë shprehur interesin e tyre për të zhvilluar investimet në sektorin e turizmit edhe në Shqipëri, kryesisht në bregdetin jugor. "Po shohim një Shqipëri të ndryshuar, ku janë kryer reforma të dukshme politike, ekonomike dhe sociale dhe kjo na shton interesin të afrojmë drejt Shqipërisë investimet tona për të sjellë këtu turizmin francez, një pjesë të turizmit italian dhe atij belg", thanë përfaqësuesit e kompanisë së njohur turistike.
Kryeministri duke garantuar investitorët francezë për mbështetjen e inisiativave të tilla të rëndësishme tha se qeveria ka miratuar tashmë "Strategjinë Kombëtare për Turizmin", duke e konsideruar atë si një nga prioritetet kryesore të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë . "Ne kemi programuar nëpërmjet projekteve konkrete zhvillimin urbanistik të zonave turistike gjatë bregdetit shqiptar ashtu sikurse dhe në zonat turistike malore", tha zoti Nano duke përmendur se Butrinti është shembulli më i mirë i bashkëpunimit dhe realizimit të projekteve nga UNESKO, Banka Botërore etj. "Ne synojmë të realizojmë tre komponente të rëndësishëm të turizmit shqiptar që janë turizmi elitar, kulturor dhe ai historik".`
Zv. Presidenti i kompanisë franceze ka propozuar asistencë për projekte në ngritjen e disa fshatrave turistikë me kapacitete nga 300-400 persona, sipas standarteve më bashkëkohore, duke ofruar gjithashtu programe të ndryshme trajnimi në fushën e turizmit për të rritur aftësinë e shërbimeve nëpërmjet alternimit të traditës dhe eksperiencës më të përparuar në këtë drejtim.
Kompania Franceze "Club Mediterrane", e njohur në të gjithë botën, e ka filluar aktivitetin e saj në vitin 1950. Vetëm në vitin 2002 kjo kompani ka regjistruar më shumë se 2 milionë turistë, klientë të mjediseve të menaxhuara prej saj, si fshatra turistikë, vila, hotele, kroçiera etj.