Kryeministri Fatos Nano ka zhvilluar sot një takim pune me negociatorët shqiptarë të Marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit me Bashkimin Europian, me rastin e përfundimit me sukses të raundi
Kryeministri Fatos Nano ka zhvilluar sot një takim pune me negociatorët shqiptarë të Marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit me Bashkimin Europian, me rastin e përfundimit me sukses të raundit të 6-të të këtyre negociatave. Kryeministri Nano fillimisht është takuar me negociatorët e Ministrisë së Integrimit në ambjentet e tyre të punës, i shoqëruar nga Ministria e Integrimit Ermelinda Meksi. Në këtë aktivitet merrte pjesë edhe zoti Lutz Salzman, Ambasador i BE-së në Tiranë.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, Kryeministri Nano përshëndeti grupin e negociatorëve nga të gjitha ministritë e linjës duke u shprehur:
"E kërkova takimin me ju, negociatorët shqiptarë për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit për t'ju inkurajuar dhe për t'ju përgëzuar edhe për rezultatet stimuluese të raundit të fundit të negociatave që u mbyllën dje, të cilin qeveria e konsideron një hap përpara drejt kryerjes së detyrave tona për të mbërritur në nënshkrimin e
Marrëveshjes, për të krijuar me pjesën tjetër të administratës kapacitetet e nevojshme për zbatimin e detyrimeve që përmban Marrëveshja dhe për t'i parë të gjitha këto si obligime dhe angazhime më të mëdha të përbashkëta dhe jo si kurorë dafine në koka individësh.
Integrimi është një sfidë e jona, nuk është e juaja, por e të gjitha hallkave dhe strukturave të shtetit dhe të shoqërisë shqiptare në tërësi. Unë jam i inkurajuar nga fakti që ju përfaqësoni repartin apo ekipin më të avancuar që përballet me teknicienët e Brukselit dhe na jep të gjithëve imputet dhe stimujt e duhur për më shumë progres në reforma dhe në administrimin e tyre.
Dua t'ju konfirmoj jo vetëm vëmendjen, por edhe përkrahjen e ekzekutivit dhe timen personalisht, duke ju kërkuar në të njëjtën kohë një sinergji më të madhe mes jush, jo vetëm brenda grupit të negociatorëve në çdo raund, por dhe pas tij e midis tyre, me të gjithë sektorët, departamentet e strukturat, në të cilat shtrihet efekti i negociatave, përgatitja për të marrë përsipër detyrime të tjera dhe akoma më shumë detyrat e zbatimit të tyre në realitet.
Do të nxisja akoma më shumë bashkëveprim e ndërveprim jo vetëm midis grupit por edhe të çdo hallke tjetër, që lidhet drejpërdrejtë apo tërthorazi me negociatat dhe arritjen e besimit të përbashkët me Komisionin Europian për aftësitë tona që ta zbatojmë Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Ndërkaq ju jeni një nga shembujt më të mirë të punës së frytshme përballë debateve shterpë. Dua t'ju nxis dhe t'ju përgëzoj për ftohtësinë dhe racionalitetin me të cilin gjykoni dhe veproni në mbrojtje të profesionalizmit tuaj dhe në kushtet kur një pjesëzë e politikës së vjetër e sheh me mosbesim apo me xhelozi përafrimin e vendit, të institucioneve, të administratës, të tregjeve dhe të shoqërisë në BE, me logjikë dritëshkurtër interesash partiake apo elektorale.
Ministria e Integrimit, me në krye znj. Ermelinda Meksi dhe grupin negociator, janë hallkat kyçe të strukturës sonë për procesin e Stabilizim-Asociimit. Lidhja midis këtyre dy hallkave edhe në vlerësimin e qeverisë është thelbësore për të siguruar mobilizimin e plotë të institucioneve shqiptare me këtë presion pozitiv, si dhe për të përçuar në mënyrën e duhur tek partnerët me të cilët ne punojmë imazhin dhe realitetet e progresit, që po konsolidohet në fusha sensitive.
Në këtë funksion, ne ndërmorrëm hapin e krijimit të Ministrisë së Integrimit Europian në kohën dhe drejtimin e duhur, duke e konsoliduar këtë strukturë efiçente të administratës publike. Por, ne do ta pasojmë këtë veprim me forcimin e mëtejshëm të qelizave që përfshihen në procesin e negociatave edhe në institucionet e tjera të linjës. Jemi përpara një procesi të gjatë, prandaj dhe efikasiteti i koordinimit të brendshëm është një nga treguesit e performancës së qeverisë për periudhën e zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit.
Kam kënaqësinë të pohoj këtu para jush që skepticizmi, - ende dhe kudo që qëndron- se Shqipëria nuk do të ishte në gjendje të negocionte apo të merrte përsipër duke nënshkruar angazhime zyrtare me BE-në, u provua fund e krye e pabazuar dhe e gabuar. Përgjatë këtyre 13 muajve të negociatave zyrtare edhe në sajë të kontributit tuaj kemi dëshmuar se përfaqësuesit e politikës dhe të administratës së re shqiptare dinë fort mirë se çfarë kërkojnë dhe tashmë po përdorin në mënyrë shumë të frytshme asistencën dhe partneritetin me Komisionin dhe vendet anëtare të BE-së për të realizuar detyrën me profesionalizëm të lartë.
Mbetet ende e rëndësishme të kuptojmë një herë e mirë, dhe kjo është e vlefshme për të gjithë, se kyçi është krijimi i kapaciteteve dhe i rekordeve për zbatimin e angazhimeve të marra në negociata përballë partnerëve tanë europianë.Çdo kapitull i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit nuk mund të mbyllet nëse arrijmë të krijojmë besim, të shfaqim se disponojmë kapacitete të mjaftueshme teknike dhe administrative për t'i bërë realitet angazhimet që rrjedhin prej çdo klauzole që ne negociojmë. Prandaj duhet të vazhdojnë të kujdesemi sëbashku për të shmangur krijimin e boshllëqeve apo të shkëputjeve midis perceptimit që i bëhet procesit nga grupi negociator dhe pjesës tjetër të administratës publike.
Natyrshëm, prandaj jemi të gjithë sëbashku sot, sepse kjo barrë duhet ndarë midis grupit të negociatorëve dhe negociatorëve të tjerë të institucioneve përkatëse nën vëmendjen e Ministrisë së Integrimit dhe timen në emër të gjithë qeverisë. Kam gjithashtu, kënaqësinë të konfirmoj sot, se sëbashku me të gjithë Ministrinë e Integrimit Europian, janë krijuar dhe mundësi reale për stimulimin tuaj edhe me financime legale, siç parashikohet në Vendimin e Këshillit të Ministrave të fushës dhe skema do të vazhdojë të zbatohet pa humbur kohë. Unë jam i hapur dhe mirëpres çdo freskim të këtij kuadri normativ që do të përfshinte në rregullimin e këtyre marrëdhënieve edhe skemën e shpërblimeve për vetë ekspertët e Ministrisë së Integrimit.
Përfundimisht më rezulton se edhe unë e di që nga 135 nene të përfshira në draftin e Marrëveshjes keni arritur të negocioni 104, nga të cilat janë hapura për rishqyrtim 33 dhe të mbyllura në parim pas negociimit 71 nene. Mbeten për t'u negociuar në raundet e ardhshme mbi tryezat tona të punës 31 nene të tjera, krahas 6 anekseve të negociuara, që mbeten të hapura për rishqyrtim, 6 protokolleve të negociuara që mbeten të hapura për rishqyrtim dhe marrëveshjes së ripranimit që në total ka 22 nene.
Ju uroj punë të mbarë, duke ju nxitur për më shumë progres".