E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri i Shtetit për Koordinim, Zoti Marko Bello, me cilësinë e Kryetarit të Komitetit Shtetëror për Luftën Kundër Trafikut të Qenieve Njerëzore dhe Koordinatorit Kombëtar të Task Forcë

Ministri i Shtetit për Koordinim, Zoti Marko Bello, me cilësinë e Kryetarit të Komitetit Shtetëror për Luftën Kundër Trafikut të Qenieve Njerëzore dhe Koordinatorit Kombëtar të Task Forcës për Trafikun e Qenieve Njerëzore të Paktit të Stabilitetit, në kuadër të Takimit te 6-të të kësaj Task Force, që do të zhvillohet në Beograd nga data 23-24 Mars 2004, si dhe të finalizimit të Strategjisë Kombëtare kundër Trafikimit të Fëmijëve, zhvilloi sot me datë 17 Mars 2004 një takim me përfaqësuesit e Bashkimit Kombëtar Kundër Trafikimit të Femijëve (BKTF).

Në hyrjen e tij, Ministri Bello pasi falenderoi dhe shprehu kënaqësinë për pjesëmarrjen e këtij koalicioni të rëndesishëm në këtë takim, shprehu bindjen dhe vullnetin e Qeverisë Shqiptare për të vendosur një bashkëpunim të hapur dhe partneritet konstruktiv me aktorë të tillë përcaktues në implementimin e masave kuadër, të parashikuara në Planin e Veprimit të Draft Strategjisë Kombëtare kundër Trafikimit të Fëmijeve. Me tej Ministri Bello theksoi se komentet e dhëna nga të gjithë anëtarët e BKTF ishin tepër të vlefshme dhe ato kontribuan për një përmirësim cilësor të Draftit të Strategjisë. Ne e kuptojmë, theksoi zoti Bello, se pjesëmarrja e juaj aktive në procesin e implementimit të kësaj Strategjie është çelsi për garantimin e suksesit të saj. Parë nën këtë kendvështrim ne do të dëshironim që më mirë se deri më sot fryma kooperuese ndërmjet institucioneve qeveritare dhe institucionit që une drejtoj me BKTF-në të vihet mbi baza më solide për të mundësuar suksesin e masave të programuara.

Pjesëmarrësit në këtë takim theksuan nevojën për një kooperim më të hapur ndërmjet BKTF-së dhe institucioneve qeveritare për ta bërë këtë bashkëpunim sa më efiçent dhe për të rritur kontributet reale të të gjithëve. Ata mirëpritën faktin që komentet dhe sugjerimet e tyre ishin marrë në konsideratë dhe në këtë kuadër ofruan asistencën dhe ekspertizën e tyre të kualifikuar në këte fushë. Ata informuan se BKTF-ja do të organizojë së shpejti një strukture qendrore të përherëshme për të lehtesuar bashkërendimin dhe efektivitetin e përpjekjeve të përbashkëta.

Në takim u vu theksi në ngritjen e një strukture koordinative qendrore me strukturat përkatëse lokale në funksion të identifikimit më të mirë të çështjeve dhe masave plotësuese, për një koordinim më të shpejtë, për forcimin e kapaciteteve lokale, për krijimin e një baze të dhënash qendrore dhe një shkëmbim të ndërsjelltë të informacionit. Ftesës për bashkëpunim pjesëmarrësit ju përgjigjën pozitivisht duke falenderuar Ministrin për gadishmërinë që ai shprehu në këtë drejtim.

Në përfundim, Ministri i Shtetit zoti Bello, i informoi pjesëmarrësit se tashmë është ngritur Grupi i Punës Ndërministror për hartimin dhe negocimin e draft marrëveshjes me palën greke, për femijët shqiptarë të trafikuar në këtë vend. Ndërmarrja e një mase të tillë ka dy objektiva kryesor, afatshkurtër dhe afatgjatë. Së pari, kjo çështje bëhet e rëndësishme në kuadrin e Lojrave Olimpike që do të zhvillohen në Gusht 2004, në Athinë. Kjo shtron nevojën që krahas masave për evidentimin dhe akomodimin e këtyre fëmijëve në qendrat e ngritura në shtetin grek, të thellohet bashkëpunimi midis policive kufitare në marrjen e masave shtesë për përforcimin e sigurisë së kufijëve në kuadër të këtyre Lojrave në përgjithësi, si dhe parandalimin e fenomenit të trafikimit të fëmijëve që mund të gjallërohet në këtë periudhë në veçanti. Së dyti, në një kuadër me afatgjate ajo do të synojë eleminimin e këtij fenomeni dhe riintegrimin e fëmijëve të trafikuar. Duke falenderuar pjesëmarrësit, Ministri Bello shprehu rëndësinë e një takimi post Beograd, propozim i cili u mirëprit nga pjesëmarrësit.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›