Kryeministri Fatos Nano mori pjesë sot paradite në Konferencën e 6-të gjyqësore mbi reformat ligjore dhe gjyqësore në Shqipëri në kuadër të Planit të dytë të Veprimit për funksionimin e
Kryeministri Fatos Nano mori pjesë sot paradite në Konferencën e 6-të gjyqësore mbi reformat ligjore dhe gjyqësore në Shqipëri në kuadër të Planit të dytë të Veprimit për funksionimin efektiv të sistemit të gjyqësorit.
Me këtë rast, Kryeministri Nano u shpreh:
"Është një privilegj të jem midis jush, sot, për të vazhduar përpjekjet tona të përbashkëta të harmonizimit të veprimeve ligjore midis ekzekutivit dhe gjyqësorit, që konsolidojnë sistemin e drejtësisë së organizuar përballë krimit të organizuar, sistemin e dhënies së drejtësisë dhe reformimin e proceseve dhe realiteteve, që na përafrojnë edhe në fushën e drejtësisë me standartet e botës moderne të BE, ku qeveria ka detyra të posaçme për të kryer. Jam i bindur se ndajmë të njëjtin vlerësim për shkak se përballojmë të njëjtën sfidë, atë të konsolidimit dhe të performancës së shtetit të së drejtës, të shtetit ligjor dhe të rritjes në tërësi të kredibilitetit të institucioneve shtetërore, në vlerësimin e qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë të Shqipërisë.
Nuk besoj se është e paqartë për ndonjë nga ne, se gjithçka që lidhet me performancën e ekzekutivit apo të gjyqësorit, të akuzës apo të mbrojtjes, me shpenzimin publik që administron qeveria apo që administrojnë gjykatat, mund të dalë jashtë fokusit për vlerësimin publik vendas dhe ndërkombëtar, për nevojën e forcimit të besimit tek dhënia e drejtësisë ligjore për shtetasit në Republikën e Shqipërisë.
Duket se po bëhet pjesë pozitive e rutinës së punës sonë diskutimi për reformat në gjyqësor, reformimin e sistemeve dhe vlerave dhe do të doja të ndaja me ju shqetësimin e angazhimin për të shmangur impersonalizimin e reformës, për ta parë reformën si diçka abstrakte, apo që nuk preket nga aktorët e përfshirë në këtë fushë, si diçka që na takon apo jo, si diçka që lihet për t'u kryer apo për t'u zgjidhur nga të tjerët, si diçka që mbetet larg vetvetes. Nuk besoj se ju ndjeheni mirë kur në vlerësimin e publikut apo të partnerëve ndërkombëtarë citohet vetëm Qeveria e Republikës së Shqipërisë si përgjegjëse për dobësinë e institucioneve të luftës kundër krimit, për dhënien e drejtësisë, të ndëshkimit të korrupsionit apo të rivendosjes së të drejtës.
Ne nuk ndjehemi mirë, kur në negociata institucionale apo politike, në qeveri apo organizata ndërkombëtare, ku po afrohemi për t'u integruar, çështjet e gjyqësorit apo çështjet e brendëshme, pra të shtetit ligjor, trajtohen me tone të larta politike duke vënë pikëpyetje mbi performancën, kapacitetet apo progresin e investimeve të përbashkëta njerëzore apo financiare, që Shqipëria dhe donatorë të rëndësishëm hedhin në këtë fushë.
Nuk besoj se do të ishte ndonjë zgjidhje ende për të ardhmen, alternativa e faturimit të përgjegjësisë tek njëri-tjetri, tek pushtete të tjera kushtetuese, përderisa jemi të angazhuar në të njëjtën axhendë reformash, në të njëjtin proces, për të sjellë dhe për të bërë aktive dhe vepruese në funksionimin e shtetit shqiptar standartet e BE-së.
Duke shfrytëzuar privilegjin që jam sot këtu, dua t'ju siguroj se qeveria i njeh mirë vështirësitë tuaja dhe mirëkupton, gjithashtu, edhe sjelljen tuaj, natyrisht jo atë abuzive ndaj detyrës dhe dua ta shfrytëzoj këtë pjesëmarrje për t'ju ftuar të kuptojmë njëlloj, se zyrtarët e shtetit kanë të njëjtën përgjegjësi, si në administrimin publik a në administrimin e drejtësisë, për të siguruar dhe determinuar dominimin e rendit, të drejtësisë dhe të paqes sociale në vend.
Unë i njoh mirë shqetësimet që ju krijohen nga politika. Dua t'ju garantoj në emër të politikës progresiste, se ne jemi të vendosur t'ju mbështesim dhe të nxisim ecurinë e reformave standarte, që rrisin kapacitetin dhe përmirësojnë performancën e sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Qeveria nuk do të lejojë që politika të fitojë terren mbi dhënien e drejtësisë apo mbi sitemin e gjykimit dhe të shqyrtimit të përgjegjësisë.
Ne jemi me ju, për të garantuar dominimin e profesionalizmit dhe të drejtësisë sociale në gjithë administrimin e së drejtës. Sfida juaj është sfida jonë, është interesi dhe përpjekja për të siguruar një funksionim pa probleme të sistemit të drejtësisë së organizuar përballë krimit dhe shkelësve të ligjit, pavarësisht nga shkalla e organizimit të tyre.
Unë kam insistuar kohët e fundit që lufta ndaj krimit të organizuar të ketë përballë një sistem të drejtësisë së organizuar. Por kjo nuk do të thotë që ju do të gjykoni apo dënoni vetëm këtë kategori krimi. Unë mendoj se, në radhë të parë, gjithçka që lidhet me shkeljen e ligjit apo të të drejtave kërkon dhe meriton gjykim të drejtë, të rreptë dhe profesional, për gjithçka duke filluar nga shkeljet më të thjeshta. Kjo është jetike për funksionimin e këtij pushteti të pavarur, pasi dështimi në dhënien e drejtësisë ligjore për çdo çështje çon minimalisht në vetgjyqësi midis shtetasve, paralizon në mënyë absurde institucionet e shtetit të së drejtës, krijon standarte të dyfishta që bllokojnë rrugën tonë drejt Europës moderne.
Nga kjo pikëpamje, qeveria e ka në krye të axhendës së punëve të saj, bashkërendimin e punëve të saj me ju, me institucionet e pavarura të kësaj fushe të rëndësishme, reformat në drejtësi dhe veçanërisht në gjyqësor, të cilat ne nuk i konsiderojmë si ndonjë monopol të ndonjë institucioni të veçantë kushtetues. Është proces i përbashkët që shpreh domosdoshmërinë e zhvillimit dhe konsolidimit të institucioneve shtetërore, të shtetit të së drejtës, si kërkesë dhe nevojë për të përshtatur standartet e provuara në vendet e tjera me një drejtësi të konsoliduar, me nevojat e ndëshkimit të shkelësve të ligjit në Shqipëri, me mbrojtjen e barazisë së shtetasve para ligjit, në çdo konflikt interesash civile apo penale.
Nuk është e rastit të përmend se vetëm reforma ligjore në fushën e ndjekjes penale, ka qenë më e paqëndrueshmja në gjithë këto vite tranzicioni, për faktin se punonjësit e kësaj praktike vinin nga sistemi komunist dhe mendësia e legjislacionit të prodhuar në Shqipëri edhe për shkak të këtij procesi bashkëpunimi intensiv me institucionet dhe qeveritë e vendeve me drejtësi të konsoliduar rezulton të jetë nga më të përparuarat e demokracive perëndimore. Prandaj besoj se nuk mund të ketë asnjë arsye që pavarësia e sistemit apo karakteri i përparuar i legjislacionit të shërbejë si alibi për korrupsion apo për mungesë kapacitetesh dhe aftësish në dhënien e drejtësisë. Në këto 13 vjet tranzicion, ndoshta mund të flisnim për 12 breza juristësh të rinj, përaqësues të të cilëve janë edhe në këtë sallë, që nuk kanë më vështirësi për të asimiluar këtë mendësi demokratike për eksperiencë të sintetizuar në një legjislacion bashkëkohor që kemi arritur të ngremë dhe të përshtasim.
Fatkeqësisht vazhdon të ndodhë që mendësia e pavarësisë së gjyqësorit të shërbejë si mburojë për dhënien e drejtësisë nga disa prej ish-kolegëve tuaj, që të inspektuar dhe ndëshkuar e kanë shitur pavarësinë për korrupsion banal apo ia kanë nënshtruar pavarësinë dhe performancën në atë suazë politikës së ditës. Në këto kushte nuk na mbetet gjë tjetër veçse padrejtësisht të vazhdojmë t'i kërkojmë ndjesë publikut të gjerë për dështimet apo për abuzim në hallka të ndryshme, veçanërisht në hallkën fundore të sistemit të dhënies së drejtësisë.
Tashmë të gjithë ne jetojmë në një shoqëri të lirë dhe të hapur, kur opinioni publik, në mënyrë të veçantë nëpërmjet medias, informohet për gjithçka ndodh në zyrat tona dhe tuajat. Pra nuk mund të vazhdohet të faturohet përgjegjësia midis ekzekutivit dhe gjyqësorit për çështje që ne i ndjejmë dhe i dënojmë njëlloj. Pra nuk mund të lemë pa mbështetje njëri-tjetrin në këtë rrugë të realizimit të interesave dhe objektivave të përbashkëta përballë shtetasve dhe partnerëve. Nuk mund të lejohet që ju të mblidheni disa herë, dhe mirë bëni, që të mos shpreheni për kolegët tuaj që kapen në flagrancë duke pranuar publikisht dhe abuzimin e bërë. Unë e kam për detyrë të kujdesem edhe për këto fenomene, duke qene i bindur se investimi im shpërblehet me investimin tuaj dhe merr një tjetër vlerë kur sëbashku dhe në bllok marrim përsipër të distancohemi, të neutralizojmë, të izolojmë dhe të çrrënjosim veprime e praktika të tilla.
Qeveria ka ndërmarrë tashmë aksionin për ekzekutimin e të gjitha vendimeve gjyqësore të pazbatuara, me qëllim vënien në vend të drejtësisë dhe të forcimit të kredibilitetit tuaj. Pavarësisht se jo rrallë herë jeni të detyruar të zbatojmë edhe vendime që haptazi shkelin interesa publike apo të shtetasve të veçantë. Nuk dua të hap këtu çështje konkrete, por ajo që është në rendin e ditës, por më gjërë sesa kjo tryezë, çështja e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, është një realitet dhe terren shumë shqetësues, të cilën mosdhënia apo abuzimi me dhënien e drejtësisë ka krijuar paradoksin e një numri më të madh pronarësh sesa para 65 vjetësh. Legalizimi i pronarëve të paqenë është gjithashtu, një nga faktet që pengojnë funksionimin e shtetit të së drejtës dhe krijimin e tregjeve të hapura dhe trasparente në procesin e përafrimit dhe të integrimit të Shqipërisë në rajon e më gjërë.
Ne nuk jemi të interesuar të zhvillojmë reformë për reformë, por në këtë proces të thellë dhe të gjithanshëm integrimi që na afron me standartet e BE-së, duam t'i përgjigjemi si ju dhe me ju standarteve dhe aspiratave të shtetasve për më shumë garanci ndaj realizimit të të drejtave dhe lirive themelore të tyre. Reformimi i drejtësisë mbetet dhe në vlerësimin e qeverisë një nga boshtet kryesore të BE-së. Drejtësia apo çështjet e brendshme është një nga kolonat bazë të negociatave dhe marrëveshjeve që ne po synojmë të nënshkruajmë me Komisionin Europian. Të gjithë flasin për integrim, dhe besoj se nuk është vetëm integrimi i qeverive apo i gjyqëtarëve me seminare trainimi, por në radhë të parë është integrimi i vendimarrjes gjyqësore dhe ekzekutive në dobi të qytetarëve, ai për të cilin na kërkohen standarte të përparuara. Ne nuk mund të mendojmë se po ecën siç duhet procesi i integrimit në BE, të nderuar kolegë të sistemit të dhënies së drejtësisë, sa kohë që shtetasit në Shqipëri mendojnë në shumë raste si personazhet e Franc Kafkës në shekullin e kaluar.
Ne e kemi nisur procesin e reformave dhe kthim mbrapa nuk ka. Në radhë të parë ne synojmë nëpërmjet këtyre reformave t'u kthejmë besimin shtetasve te drejtësia e shtetit të tyre. Ne e nisëm dhe përfunduam reformën legjislative për gjykimin e krimeve të rënda, të bindur se kjo ishte mënyra më efikase për të luftuar krimin e organizuar. Nëse ne e ndërrmorëm këtë reformë tashmë, është radha juaj të dëshmoni se ç'jeni në gjendje të bëni për të luftuar këtë kategori krimi, që shqetëson kaq shumë shqiptarët dhe miqtë e Shqipërisë. Në këtë funksion unë do të përshëndesja të gjithë ata gjyqtarë që morën përsipër barrën e madhe të punës në gjykatat e krimeve të rënda. Qeveria do të vazhdojë t'i mbështesë këto gjykata, edhe politikisht dhe financiarisht. Ne do të vazhdojmë të koordinojmë edhe ndihmën e huaj në këtë fushë për ta bërë edhe atë më produktive në mbështetje të angazhimeve tona për integrim. Nuk dua të ndalem në detaje në problemet e reformës ligjore dhe gjyqësore, sepse ka rezultate dhe arritje të cilat janë pjesë e punës suaj së përditshme krahas vështirësive që hasni dhe që qeveria i njeh dhe i ndjek me vëmendje.
Ne do ta thellojmë më tej reformën që nisëm në fushën e pagave dhe të organizimit gjyqësor, për t'ju shtuar motivimin dhe stimulin ligjor për punën tuaj, për të shpërndarë më drejt ngarkesën në punë, ashtu siç do të vazhdojmë të monitorojmë në institucione legale përformancën tuaj ligjore, në mënyrë të veçantë atë procedurale. E theksova këtë të fundit, sepse edhe ju e dini shumë mirë që gabimi material në gjykim është i rikuperueshëm, prandaj ligji parashikon shkallë apelimi të vendimeve gjyqësore, por zvarritjet proceduriale janë të pa tolerueshme sepse ato dëshmojnë minimalisht mungesë profesionalizmi apo të kapaciteteve.
Në këtë kontekst nuk mund të lëmë jashtë vëmendjes reformën në arsimin juridik, e cila megjithë përparësitë ligjore duket se ka vështirësi për të siguruar ende një komunitet dominant juristësh të rinj apo kompetentë për t'u përballur me sfidat e kohës. Nuk mund të mos përmend arritjet e shkollës së magjistraturës, e cila është furnizuesja kryesore e pushtetit të tretë, ashtu siç do të dëshiroja që eksperienca të tilla të kishim edhe për juristë të administratës edhe për menaxherë të drejtësisë.
Jam i bindur se edhe Shqipëria ka juristë shumë të mirë profesionalisht, por menaxhimi i problemeve të drejtësisë dhe të reformave në mënyrë të veçantë ka ende vështirësi jo të pandjeshme. Në këtë kontekst nuk mund të jetë vetëm Ministri i Drejtësisë i vetmi zyrtar përgjegjës për reformat, por tryeza si kjo, konferencat e gjyqësorit dhe mjedise të tjera ku ju organizoheni për të punuar sëbashku janë një mekanizëm kushtetues që mbështet reformat dhe nxit përshpejtimin e tyre.
Mendoj se ende shumë pak mendim juridik paraqitet në vendimarrjen ekzekutive nga ju për aspekte të veçanta të reformës ligjore. Jam këtu për t'ju kërkuar më shumë kontribut dhe ndihmë, sepse komuniteti juaj dhe i juristëve në përgjithësi ka potenciale që po të organizohen më mirë efektet do të jenë në përshpejtimin e ritmeve të të gjithave reformave të shtetit ligjor dhe të institucioneve të tij. Procesi legjislativ tashmë është përballë sfidës së përqasjes me acquiss communnitaires të BE-së, i cili nga gjerësia dhe kompleksiteti i tij kërkon padyshim më shumë ekspertizë dhe mbështetje profesionale nga juristë. Angazhimi juaj në këtë proces është njëkohësisht edhe një obligim konkret për çdo projekt-ligj që ndihmon në përafrimin e standarteve të gjykimit apo të administrimit publik në Shqipëri me ato europiane.
Në këtë kuadër një masë urgjente dhe e domosdoshme që duhet marrë është shfrytezimi maksimal i kapaciteteve profesionale, jo vetem të Ministrisë së Drejtësisë, por edhe i atyre që gjenden në hallkat e sistemit shqiptar të drejtësisë. Këto kapacitete unë jam i bindur se ekzistojne dhe mund te luajne nje rol vendimtar në refomën ligjore dhe gjyqësore. Për këtë qëllim kam gjetur të njëjtën pikëpamje me Ministrin e Drejtesise dhe, pas disa ditësh, do të nënshkruaj aktet normative me të cilat krijohet dhe do të fillojë funksionimin e tij Komisioni për Reformen Ligjore, si një forum i përhershëm profesional, për debatimin e problemeve, hartimin e politikave e strategjive afatmesme dhe afatgjata të reformës në drejtësi dhe në legjislacion, si dhe për përgatitjen e vlerësimin e projekteve të rëndësishme normative. Ky Komision do të funksionojë nën koordinimin e Ministrit të Drejtësisë, duke patur në përbërje juristë me karrierë profesionale dhe përvojë të spikatur, të cilët do të mbeshteten në kontributin e një grupi ekspertësh ligjorë të brezit të ri të përkushtuar profesionalisht, të arsimuar e specializuar edhe jashtë vendit apo që kanë përvojë pune profesionale pranë organizatave ndërkombëtare. Ky Komision do të zhvillojë veprimtarinë e tij me mbështetjen teknike e logjistike të strukturave të Ministrisë së Drejtësisë.
Ne presim nga ky Komision këta hapa konkretë:
1- Vlerësim të legjislacionit ekzistues në raport me standartet europiane;
2- Përmirësim të legjislacionit në fusha sensitive;
3- Sugjerime të mëtejshme për përmirësimin e ecurisë e procesit të reformave në drejtësi.
Të nderuar miq e kolegë,
Sfida jonë e përbashkët për të luftuar padrejtësinë ka qenë dhe mbetet e hapur. Detyra jonë është zbatimi me korrektësi i ligjit, pavarësisht vullneteve shpesh herë aspak përfaqësuese të politikës së ditës. Për juve nuk mund të marrin prevalencë çështje me background politik në dëm të interesave të ushtrimit të lirive dhe të drejtave themelore të shtetasve. Ju keni autoritetin ligjor që të mësoni edhe politikanët të sillen si qytetarë normalë të këtij shteti. Askush nuk mund të ketë imunitet para jush, sepse ju jeni Ligji. Ju nuk mund të bëheni vulnerabël ndaj presioneve të politikës, të cilat për fat të keq kanë rezultuar si alibi që mbrojnë korrupsionin. Politika vepron në mbështetjen tuaj, por kur ajo merr përsipër t'ju zëvendësojë në gjykim apo në arsyetimet ligjore, hapni sytë se diçka nuk shkon në performancën tuaj. Nuk dua të shfajësoj aspak politikën, sepse ajo ka gjynahet e veta edhe ndaj jush, por edhe ju duhet të shfaqeni më të organizuar, në dobi të këtij procesi integriteti të institucioneve dhe integrimi të qytetarëve në BE.
Qeveria do të vazhdojë të jetë në mbështetjen tuaj, por gjithmonë në anën e publikut të gjerë.
Punë të mbarë dhe suksese, të cilat janë edhe për ne të mirëpritura".