Kryeministri Fatos Nano, në vazhdim të kontakteve me autoritetet e Kosovës, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Kryeministrin e Kosovës, Bajram Rexhepi, i cili e ka njohur Kryeministrin Nano m
Kryeministri Fatos Nano, në vazhdim të kontakteve me autoritetet e Kosovës, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Kryeministrin e Kosovës, Bajram Rexhepi, i cili e ka njohur Kryeministrin Nano me vizitën e tij në Mitrovicë dhe se situata atje kishte patur humbje jetësh dhe të plagosur.
Sipas Z.Rexhepi, autoritetet po punojnë intensivisht për marrjen në kontroll të situatës dhe për qetësinë në Mitrovicë.
Kryeministri Nano ka shprehur keqardhjen për viktimat e shkaktuara, ku ka patur edhe fëmijë, dhe për të plagosurit. Më tej, Kryeministri Nano shprehu bindjen se faktori politik në Kosovë është i angazhuar për vazhdimin e bashkëpunimit me autoritetet e UNMIK-ut, në funksion të kthimit të normalitetit të situatës dhe të paqes, si dhe nevojën e marrjes së masave ligjore për vënien përpara drejtësisë të shkaktarëve dhe nxitësve të dhunës.
Kryeministri Rexhepi ka informuar se i gjithë faktori politik drejtues në Kosovë, Presidenti Rugova, kryetarët e partive politike, parlamenti, etj., janë involvuar dhe angazhuar për qetësimin e situatës dhe kanë shprehur vullnetin e plotë për bashkëpunim dhe intensifikimin e kontakteve me Kryeadministratorin Holker dhe administratën e UNMIK-ut, në funksion të nxitjes së stabilitetit, paqes dhe të dialogut në Kosovë.