Kryeministri Fatos Nano priti sot në një takim Ambasadorin e Misionit të OSBE-së në Shqipëri z. Pavel Vacek. Në këtë takim zoti Vacek i dorëzoi Kryeministrit një letër nga z. Miklos Har
Kryeministri Fatos Nano priti sot në një takim Ambasadorin e Misionit të OSBE-së në Shqipëri z. Pavel Vacek.
Në këtë takim zoti Vacek i dorëzoi Kryeministrit një letër nga z. Miklos Haraszti Përfaqësues i OSBE-së për lirinë e medias, pas ftesës për bashkëpunim në përgatitjen e një pakete ligjore që do të përmirësojë kuadrin ligjor për median në Shqipëri, nga ana e Kryeministrit Nano.
Në këtë letër zoti Haraszti i shkruan Kryeministrit Nano se:
"Ishte një kënaqësi shumë e madhe për ne që morëm ftesën tuaj për të bashkëpunuar në përgatitjen e një pakete ligjore që do të përmirësonte kuadrin ligjor për median në Shqipëri, të shprehur në letrën tuaj të 2 qershorit 2004. Asistenca ligjore ka qenë në programin e zyrës sime gjatë katër viteve të fundit, me qëllim mbështetjen e shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së në plotësimin e angazhimeve të kësaj organizate për lirinë e medias dhe shprehjes
Kërkesa Juaj u prit shumë mirë, sepse OSBE-ja mirëpret çdo iniciativë që kontribuon në realizmin e qëllimit të saj për të ndihmuar në harmonizmin e standarteve të medias vendase me standartet evropiane, forcimin e medias së pavarur, kultivimin e lirisë së medias së përgjegjshme dhe mbështetjen e praktikave të gazetarisë profesionale. Për këtë arsye, unë jam shumë i kënaqur që t'ju dërgoj Ju pesë komente ligjore të përgatitura nga ekspertë ndërkombëtarë të pavarur për t'ju ardhur në ndihmë në këtë kuadër.
Unë e përgëzoj qëllimin tuaj për përmirësimin e kuadrit legjislativ të Shqipërisë për të siguruar një bazë të shëndoshë për komunitetin e gazetarëve, si dhe për një panoramë të pavarur dhe me të vërtetë të lirë të medias" thuhet në këtë mesazh.
Në përmbajtjen e kësaj pakete ligjore te percjella nga Përfaqësuesi i OSBE-së për lirinë e medias, Miklos Haraszti jane përfshirë analiza dhe komente mbi Statutin e Radio-Televizionit Shqiptar, për ligjin për Radio Televizionin Publik dhe Privat, Ligjin për të Drejtën për Informim për Dokumente Zyrtare, për Ligjin për shpifjen, si dhe për projektligjin shqiptar për Lirinë e Shtypit.
Më tej në takimin me ambasadorin Vacek, Kryeministri Nano rikonfirmoi vullnetin politik të Qeverisë Shqiptare në përpjekjen e përbashkët për progres edhe në procesin e koordinimit me përfaqësitë e OSBE-së në vendet e rajonit dhe delegacioneve të BE-së, në drejtim të partnershipit rajonal me BE-në në rrugën e përbashkët të integrimit.