- Kryeministri Nano merr pjesë në 60-vjetorin eÇlirimit të Mirditës - Kryeministri Nano zhvillon një takim dhe me strukturat e PS-së në Mirditë Kryeministri Fatos Nano, pas përfundimit

- Kryeministri Nano merr pjesë në 60-vjetorin eÇlirimit të Mirditës
- Kryeministri Nano zhvillon një takim dhe me strukturat e PS-së në Mirditë
Kryeministri Fatos Nano, pas përfundimit të vizitës në qytetin e Peshkopisë, zhvilloi sot pasdite një vizitë në Rubik. Fillimisht z. Nano inspektoi punimet e rrugës Durrës-Morinë, në segmentin Milot-Rrëshen, i shoqëruar edhe nga Ministri i Mbrojtjes, Pandeli Majko, Ministri i Transportit dhe Telekomunikacioneve, Spartak Poçi, deputetë të zonës, autoritete vendore, etj.
Kryeministri Nano u interesua dhe u njoh nga afër me punën e bërë në segmente të ndryshme të këtij aksi. Ai vlerësoi ecurinë e deritanishme, punën e forcave xheniere, si dhe diskutoi me ekspertët për ecurinë e mëtejshme të punimeve. Kryeministri Nano u shpreh optimist për përfundimin e shpejtë të kësaj rruge të rëndësishme.
Segmenti Milot- Rrëshen ka një gjatësi prej 26 km dhe për ndërtimin e këtij aksi po punohet nga forcat xheniere, duke filluar nga Rubiku, për zgjerimin e trasesë. Ndërkohë po përfundojnë negociatat me Bankën Botërore për të bërë të mundur realizimin e pjeses se dyte të segmentit.
Rruga Durrës-Kukës-Morinë ka një rëndësi strategjike, pasi Kosova eksporton në vit rreth 400 mijë turistë, ose ndryshe mbi 90 përqind të totalit të turistëve.
Më pas, Kryeministri Nano ka vizituar edhe qytetin e Rrëshenit, ku ai i pritur nga qindra qytetarë, ka marrë pjesë në festimet me rastin e 60 vjetorit të Clirimit të Mirditës. Kryeministri Nano vlerësoi rolin e popullit te Mirditës gjatë Luftës së Dytë Botërore, vecanërisht rolin e figurave të njohura mirditore, duke theksuar se,"vepra e tyre ka mbetur në histori dhe është e veçantë, pasi misioni i tyre ishte fisnik, qytetërues dhe emancipues për Mirditën dhe Shqipërinë në përgjithësi".
"Rivleresimi i virtyteve tona kombëtare dhe qytetare, modemizimi i panderprerë i Shqipërisë sonë të dashur, përfshirja e saj gjithnjë e më shumë në rrjedhat e zhvillimeve globale, është, përveç të tjerash, edhe respekti më i mirë dhe i vërtetë që i bëjmë ne kësaj lufte dhe gjakut e mundit të bijve më të mirë të popullit tonë", u shpreh Kryeministri.
Gjithashtu, në fjalën e tij Kryeministri nxiti bashkëpunimin mes gjithe faktorëve në këtë qytet, pavarësisht bindjeve politike, për të çuar më përpara projektet, duke e cilësuar pozitivisht ecurinë e deritanishme të zhvillimit të këtij qyteti. Kryeministri Nano bëri një pasqyrë të investimeve të Qeverisë në këtë zonë, që sipas tij, arrijnë shifra të konsiderueshme dhe që do të nxiten më tej.
Më pas, Kryeministri dhe Kryetar i Partisë Socialiste, ka zhvilluar një takim me strukturat e kësaj partie në Mirditë, ku kanë diskutuar mbi rolin e strukturave në përgatitjen për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, bashkëbisedimin me njerëzit në kuadrin e Kuvendimit të madh, etj.