- Z.Nano takohet me homologun janonez, kroat, maqedonas dhe me Nënsekretarin e OKB-së - Gjatë qëndrimit në Nju Jork, Kryeministri Fatos Nano është takuar me Kryeministrin e Japonisë, Junich
- Z.Nano takohet me homologun janonez, kroat, maqedonas dhe me Nënsekretarin e OKB-së -
Gjatë qëndrimit në Nju Jork, Kryeministri Fatos Nano është takuar me Kryeministrin e Japonisë, Junichiro Koizumi.
Në këtë takim është vlerësuar se marrëdhëniet politike dhe ekonomike ndërmjet dy vendeve kanë njohur një zhvillim të dukshëm gjatë viteve të fundit. Dy homologët kanë ndarë të njëjtin mendim për thellimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit shqiptaro-japonez në të gjitha fushat, në përputhje me interesat e përbashkëta të të dy vendeve. Gjatë takimit është theksuar nevoja e bashkëpunimit në veçanti në fushën teknologjike dhe mundësitë e implementimit në Shqipëri të projekteve më të avancuara në këto fusha.
Kryeministri Nano ka vlerësuar ecurinë e projekteve dhe granteve që qeveria japoneze ka dhënë për zhvillimin e bujqësisë, të mekanikës bujqësore dhe në fushën e agrobiznesit, duke siguruar për vazhdimin e mëtejshëm të partneriteit mes dy vendeve. Kryeministri Nano tha se Qeveria Shqiptare po zhvillon politika inkurajuese për investimet e huaja në vend, duke u shprehur se midis dy vendve ka potenciale të shumta bashkëpunimi. Në këtë drejtim, tha z.Nano, mirëpresim biznesin japonez për të investuar në Shqipëri në fusha të tilla si industria, energjitika, turizmi, agrobujqesia etj. dhe garantoi mbështetjen e autoriteteve shqiptare për të.
***
Kryeministri Fatos Nano është takuar edhe me Nënsekretarin e Kombeve të Bashkuara dhe Drejtor i Zyrës së OKB për Luftën kundër Krimit dhe Drogës në Vjenë, Antonio Maria Kosta.
Gjatë takimit, dy autoritetet kanë diskutuar në lidhje me bashkëpunimin e strukturave të specializuara në këtë drejtim, për vazhdimin e hartimit të strategjive të përbashkëta në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe drogës, të cilat të përfshijë të gjitha vendet e rajonit për të dhënë kontributin e përbashkët në luftën kundër fenomeneve të tilla.
Kryeministri Nano e ka njohur z.Kosta me hapat dhe inisiativat që po ndërmerren në Shqipëri në këtë drejtim, si në kuadrin ligjor ashtu dhe në angazhimet e institucioneve përkatëse në luftën kundër fenomeve negative. Z.Kosta tha se është i informuar se janë bërë hapa konkretë në luftën kudër trafiqeve, krimit dhe drogës. Kjo, - tha ai, - do t'i shërbente njohjes më të mirë të realitetit, punës së përbashkët dhe do të bënte që të pasqyroheshin arritjet dhe strategjitë e së ardhmes në këtë funksion. Po ashtu, z.Kosta tha se arritjet e Shqipërisë në luftën kundër trafiqeve ilegale përbëjnë një shembull pozitiv edhe për vendet e tjera të rajonit. Ata ranë dakort për implementimin e tre projekteve për menaxhimn e kufijve.
Kryeministri Nano e ka siguruar z.Kosta se Qeveria Shqiptare ka përkushtimin maksimal dhe vullnetin politik për të goditur krimin e organizuar, trafiqet dhe dorgën, duke zbatuar parimin e "tolerancës zero" ndaj këtyre fenomeneve.
***
Kryeministri Nano ka zhvilluar një takim me Presidentin e Maqedonisë, Branko Cervenkovski.
Të dy autoritetet e larta kanë vlerësuar hapat që janë hedhur në zhvillimin e marrëdhënieve politike dhe ekonomike midis dy vendeve dhe evidentuan angazhimin e përbashkët për nxitjen e bashkëpunimit të gjithanshëm dypalësh. Ata kanë ndarë të njëjtin mendim se forcimi i bashkëpunimit do t'í shërbejë jo vetëm progresit të të dy vendeve, por do të ndihmojë edhe proceset integruese në rajon.
Duke u ndalur në procesin e integrimit në strukturat euroatlantike, dy personalitetet e larta kanë theksuar se tashmë në këtë drejtim janë hedhur hapa praktikë. Ata kanë inkurajuar nismat e mëtejshme në kuadër të Procesit të Kartës së Adriatikut, së bashku me Kroacinë, me synim realizimin sa më shpejt të anëtarësimit të 3 vendeve në NATO.
Një vend i rëndësishmë në këtë takim i është kushtuar edhe diskutimeve mbi zhvillimet në rajon. Kryeministri Nano dhe Presidenti Cervenkovski kanë rikonfirmuar gatishmërinë për të kontribuar për paqen, sigurinë dhe progresin në rajonin e Ballkanit.
Lidhur me zhvillimet me të fundit në Kosovë e Maqedoni, bashkëbiseduesit kanë siguruar se institucionet e të dy vendeve do të nxisin dhe stimulojnë bashkëveprimin dhe bashkëjetesën ndëretnike, si dhe zgjidhjen e situatave përmes dialogut.
Dy autoritetet e larta kanë vlerësuar gjithashtu edhe rolin moderator të shqiptarëve në zhvillimet rajonale.
***
Kryeministri Nano ka zhvilluar një takim edhe me Kryeministrin e Kroacisë, Ivo Sanader.
Gjatë takimit, të dy homologët kanë diskutuar për intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe në fusha të ndryshme, duke shprehur vullnetin e të dy qeverive për gjetjen e hapësirave të reja të bashkëpunimit.
Përsa i përket proceseve integruese, ku janë përfshirë dy vendet, Kryeministri Nano dhe Kryeministri Sanader kanë theksuar nevojën për ritme të reja në plotësimin e standarteve të përbashkëta për anëtarësim në strukturat euroatlantike. Ata kanë diskutuar për ecurinë e deritanishme dhe hapat e mëtejshëm në procesin e Kartës së Adriatikut, ku të tre vendet Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia po bëjnë përpjekje për tú bërë anëtarë të Aleancës Atlantike.
Më tej, dy autoritetet kanë diskutuar mundësitë e bashkëpunimit ekonomiko-tregëtar mes dy vendeve. Në këtë drejtim ata kanë ranë dakort që të mblidhen forumet e bizneseve të të dy vendeve. Kryeministri kroat ka shprehur interesin për bashkepunimin dhe shtimin e investime kroate në Shqipëri.
Të dy homologët kanë diskutuar edhe për realizimin e takimeve në Tiranë e Zagreb mes Dhomave të Tregëtisë të dy vendeve, si dhe nxitën nismat për shkëmbime dypalëshe në sektorë prioritarë, si në infrastrukturë, energjitikë, në tregti etj.
Kryeministri Nano dhe Kryeministri Sanader kanë ndarë të njëjtin mendim se bashkëpunimi dypalesh duhet të ndihmohet tashmë edhe me hapa konkretë në liberalizimin e regjimit të vizave, me qëllim stimulimin e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe shkëmbimit të mallrave. Në këtë kuadër, Kryeministri kroat Sanader, e ka informuar Kryeministrin Nano se javën e ardhshme Kroacia do të marrë vendimin që u lejon qytetarëve të huaj të lëvizin lirisht në Kroaci edhe me vizat Shengen.