E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot një takim me Kryetarin e Komisionit të Politikës së Jashtme të Bundestagut Gjerman, Volker Rühe. Bashkëbiseduesit vlerësuan në fillim të takimit marr

Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot një takim me Kryetarin e Komisionit të Politikës së Jashtme të Bundestagut Gjerman, Volker Rühe.

Bashkëbiseduesit vlerësuan në fillim të takimit marrëdhëniet midis dy vendeve, duke theksuar vullnetin për thellimin e mëtejshëm të dialogut politik mes tyre. Z.Nano vlerësoi kontributin e vazhdueshme që Gjermania i ka dhënë proceseve demokratike në Shqipëri, në mënyrë të veçantë procesit të integrimit euroatlantik, nisur dhe nga roli dhe rëndësia që ka ky vend në këto struktura. Z.Rühe vlerësoi angazhimin e Qeverisë Shqiptare në thellimin e reformave integruese.

Në këtë drejtim, duke u ndalur në lëvizjen e lirë të njerëzve, z.Nano u shpreh se është e mirëpritur ndihma dhe mbështetja e Gjermanisë jo vetëm në planin bilateral, por edhe në kuadrin e BE-së.

Gjithashtu bashkëbiseduesit vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm në fushën e mbrojtjes dhe të rendit, në mbështetje të përmbushjes së standarteve për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe mbështetjen logjistike të strukturave të Policisë së Shtetit në luftë kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve. Ata u shprehën për zgjerimin e këtij bashkëpunimi në të ardhmen.

Më tej, z. Nano e njohu z. Rühe me ecurinë e reformës zgjedhore dhe rëndësinë e zgjedhjeve në proçesin e integrimit. "Ne jemi të angazhuar të përballojmë me shumë përgjegjësi zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke besuar që ato të realizohen në mënyrën më të mundshme konsensuale. Për këto zgjedhje ne do të zbatojmë plotësisht rekomandimet e OSBE/ODIHR për kuadrin elektoral dhe administrimin e tyre, sipas standarteve demokratike", tha z.Nano. Ai ritheksoi se standartet e këtyre zgjedhjeve janë më të rëndësishme sesa rezultati.

Duke u ndalur në bashkëpunimin dypalësh ekonomik, Kryeministri theksoi mbështetjen e gjithashme që Gjermania i ka dhënë procesit të reformave në vend, nëpërmjet asistencës dhe bashkëpunimit ekonomik për zhvillim, duke qenë në planin bilateral dhe donatori i dytë për Shqipërinë. Z.Nano u shpreh se është tepër i mirëpritur dhe i vlerësuar angazhimi i palës gjermane me projekte në fusha të tilla si energjitika, mbështetja e biznesit të vogël e të mesëm shqiptar, mjedisi, shëndetësia etj., duke synuar shtrirjen e këtyre projekteve në zonat më në nevojë të vendit.

Z.Nano bëri një paraqitje të arritjeve në procesin e reformave dhe investimeve të huaja në Shqipëri. Në këtë kuadër, bashkëbiseduesit ndanë të njëjtim mendim se angazhimi i kompanisë së njohur gjermane "Hochtief" në ndërtimin e terminalit të ri në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit dhe të firmave të tjera gjermane si "Siemens" etj. është një sinjal pozitiv për kompanitë e tjera gjermane që të investojnë në Shqipëri. Z.Nano ftoi investitorët gjermanë për të marrë pjesë në procesin e privatizimit të sektorëve strategjikë të ekonomisë shqiptare si infrastruktura, energjitika, turizmi, miniera, transportet, bujqësia etj.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›