E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot një takim me Ministrin italian në detyrë për Tregtinë e Jashtme dhe Zëvendësministër i Aktiviteteve Prodhuese, z. Adolfo Urso. Në fillim të takimit,

Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot një takim me Ministrin italian në detyrë për Tregtinë e Jashtme dhe Zëvendësministër i Aktiviteteve Prodhuese, z. Adolfo Urso.

Në fillim të takimit, bashkëbiseduesit vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve tona si marrëdhënie të një partneriteti strategjik.

"Në këtë vizitë të fundit në Shqipëri vura re një progres të jashtëzakonshëm të vendit tuaj në rrugën drejt zhvillimit dhe integrimit. Kam ngelur i befasuar edhe nga vizita në jug të vendit ku në vend të skafeve të klandestinëve tashmë diskutohet për projekte portesh turistikë", tha z.Urso. Gjithashtu, ai theksoi se tashmë në Itali, Shqipëria ka krijuar një imazh krejt të ndryshëm dhe shumë pozitiv në raport me atë të disa viteve më parë dhe kjo është shumë e rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë.

Kryeministri Nano në këtë takim theksoi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë kanë marrë tashmë trajtën e një modeli shembullor midis shteteve fqinje. "Ato janë të qëndrueshme dhe rezultative dhe gëzojnë kujdesin e qeverive respektive", tha ai, duke shtuar se ky bashkëpunim është shumëdimensional.

"Mbështetja italiane është prezente pothuaj në të gjitha fushat në vendin tonë,- tha z. Nano- dhe Qeveria Shqiptare vlerëson veçanërisht kontributin e Italisë në fushën e bashkëpunimit ekonomik për zhvillim".

Në këtë kuadër, Kryeministri theksoi rëndësinë e zgjerimit dhe institucionalizimit të marrëdhënieve ndërmjet institucioneve përgjegjëse, sipas fushave të bashkëpunimit e në mënyrë të veçantë në sistemin energjetik, infrastrukturë, në reformën administrative dhe atë institucionale që ka ndërrmarrë Qeveria Shqiptare në funksion të përafrimit të vendit tonë me standartet europiane. Z.Nano vlerësoi faktin që Italia është partneri kryesor i Shqipërisë në shkëmbimet ekonomike dhe tregëtare, ndërkohë që kontributi financiar i Qeverisë italiane për tre vitet e ardhshme është dyfishuar.

Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin opinion lidhur me përfshirjen më aktive të firmave të mëdha italiane në privatizimin e sektorëve strategjikë në Shqipëri.

Z.Urso e njohu Kryeministrin Shqiptar lidhur me organizimin e një takimi për tregtinë e jashtme në Romë javën e ardhshme, në të cilin do të përfshihen shtatë vende të Ballkanit. Sipas z. Urso ky aktivitet do të kontribuojë në favor të interesave strategjikë të këtyre vendeve dhe sigurisht edhe të Shqipërisë.

"Ne jemi të interesuar për mbështetjen sa më të plotë në ndërtimin e shpejtë të Korridorit 8, i cili do të ketë efekte mjaft pozitive jo vetëm për Shqipërinë por edhe në krijimin e lidhjeve të qëndrueshme midis Europës Qendrore, Ballkanit dhe më pas, të tregjeve më të mëdha të Lindjes", tha ai.

Bashkëbiseduesit u ndalën gjithashtu edhe në realizimin e projekteve të përbashkëta që i takojnë infrastrukturës, lidhur me burimet hidrike dhe atyre energjitike.

"Ne shpresojmë që qindra sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme italiane që janë vendosur këtu në Shqipëri, të mund t'u bashkohen në muajt e ardhshëm edhe sipërmarrje të mëdha italiane, në fushën e sigurimeve bankare, në fushën e burimeve hidrike dhe energjitike, sipërmarrje të mëdha në fushën e ndërtimit dhe është e rëndësishme të bëjmë të mundur afrimin e kompanive tona edhe për shkak të mundësive të shumta që ofrohen këtu në Shqipëri e për të vazhduar këtë rrugë zhvillimi, e cila dua të theksoj që është rritur ndjeshëm në kohët e fundit", tha z.Urso

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›