E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot një takim me Presidentin e Polonisë z. Aleksandër Kwashnjewski. Në fillim të këtij takimi të dy personalitetet e lartë kanë vlerësuar nivelin shumë

Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot një takim me Presidentin e Polonisë z. Aleksandër Kwashnjewski.

Në fillim të këtij takimi të dy personalitetet e lartë kanë vlerësuar nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve politike mes të dy vendeve tona.

Kryeministri Nano ka shprehur angazhimin e Qeverisë Shqiptare për thellimin e këtij bashkëpunimi dypalësh në shumë fusha edhe "për shkak të filozofisë së përbashkët politike që ekziston mes vendeve tona".

Bashkëbiseduesit kanë ndarë të njëjtin opinion se ka hapësira të mëdha bashkëpunimi si në fushën ekonomike, financiare, në turizëm, transport, bujqësi, punët publike,energjetikë etj.

Më tej biseda është përqendruar në mënyrë të veçantë në çështjen e integrimit të Shqipërisë në strukturat Euroatlantike, ku Kryeministri Nano ka vlerësuar pozitivisht përvojën dhe arritjet e Polonisë në drejtim të integrimit të saj të plotë në këto struktura. Ndërsa Presidenti i Polonisë tha se "Ne duhet të vazhdojmë të punojmë sëbashku për të përshpejtuar rrugën tuaj të afrimit drejt BE dhe për këtë ju garantojmë se jemi gati t'Ju ndihmojmë në këtë rrugë".

Nga ana e tij Kryeministri Nano ka theksuar rëndësinë dhe impenjimin maksimal që Qeveria Shqiptare i ka kushtuar këtij procesi duke e konsideruar atë jo thjesht si një proces që i përket vetëm vendit tonë, por si një përafrim rajonal drejt BE.

Më tej Kryeministri Nano e ka njohur Presidentin Polak me përpjekjet dhe rezultatet e Qeverisë Shqiptare në luftën kundër trafiqeve ilegale dhe veçanërisht kundër trafikut njerëzor drejt Italisë, shifrat e të cilit janë reduktuar në zero dhe theksoi se po intensifikohen perpjekjet per te luftuar krimin e organizuar dhe te gjitha llojet e trafiqeve. Sipas Kryeministrit rezultati ne bllokimin e tarfikut klandestin është rezultat i një skeme të përbashkët bashkëpunimi me fqinjët tanë. "Ne i bllokuam trafikantët në këtë trafik ilegal përmes bashkëpunimit të strukturave të policive të vendeve të rajonit, që do të thotë se te gjithe duhet të vazhdojmë të punojmë sëbashku për të eliminuar diferencat e shpejtësive dhe realiteteve në rajonin tone", tha zoti Nano ndersa ka shprehur se në procesin e bashkepunimit rajonal nevojitet një optikë multietnike që të ketë një bashkëekzistencë mes komuniteteve të ndryshme etnike dhe vendeve ku ata jetojne, ndaj dhe Shqiperia,- vazhdoi ai- do të mbetet agresive në sensin pozitiv duke luajtur rol moderator ne rajon.

Gjithashtu, zoti Nano duke u ndalur ne çeshtjen e integrimit rajonal tha se "Të gjithë vendet e Ballkanit kanë të njëjtën axhendë përpara integrimit euroatlantik. Mund të ketë shpejtësi të ndryshme drejt këtij përafrimi, por ne duhet të përballemi me këtë proces rajonal paralelisht me përafrimin tonë drejt BE-se. Shqipëria aktualisht po implementon Marrëveshjet e Tregtisë së Lirë me vendet e tjera të rajonit dhe për këtë arsye tregjet tona po bëhen më vulnerabël. Për shkak të kësaj dhe ne na duhet të përgatisim edhe aktorë të tjerë joqeveritarë që të jenë interaktive me hyrjen në realitetet globale në rajon dhe më pas në Europë".

Në këtë kuadër Presidenti Polak z. Kwashnjewski ka vlerësuar së tepërmi rolin e Shqipërisë qe ka luajtur në zhvillimet rajonale të cilat e kanë bërë atë një faktor stabiliteti dhe qëndrueshmërie politike.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›