E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri: Greqia ka kontribut për anëtarësimin tonë në NATO

Anëtarësimi i plotë i Shqipërisë në NATO do të bëhet sipas parashikimeve dhe asnjë shtet nuk do të nxjerrë pengesa. Kjo ka qenë garancia që kreu i qeverisë "Berisha" ka dhënë dje para gazetarëve, duke theksuar se edhe Greqia do të jetë një ndër vendet që do të firmosë protokollin, megjithëse shteti fqinj ende nuk e ka firmosur Marrëveshjen e MSA-së. Për të sqaruar çdo keqkuptim, Kryeministri është shprehur se "për sa i përket ratifikimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit nuk ka absolutisht në të gjithë të dhënat, nga komisioni dhe nga autoritetet greke nuk ka refuzim për firmosjen. Vonesa ka lidhje me disa probleme të përkthimit të tekstit, siç është e njohur se çështja e përkthimit krijoi vonesa dhe në Austri, që e kapërceu, krijoi vonesa në Gjermani, e cila akoma nuk e ka ratifikuar, por ratifikimi i MSA-së është një proces që ecën në mbarësi të plotë". Mendoj se Greqia, shtoi Berisha, ka dhënë një kontribut të çmuar dhe të pamohueshëm e të shumanshëm në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Greqia ka qenë dhe mbetet një protagoniste shumë e rëndësishme e proceseve integruese evropiane dhe euroatlantike në rajon.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›