E Diel, 1 Nëntor 2026

Planifikimi i fushatës, PS pritet të mbledhë kryesinë

Në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 2009, PS ka hedhur pikat e para të organizimit të fushatës dhe etapave që do të ndjekin deri në zgjedhje. Për miratimin e këtij plani, pritet që kryetari i Partisë Socialiste të mbledhë një prej strukturave kryesore vendimmarrëse të PS-së, për të diskutuar dhe miratuar hapat e mëtejshëm. Ndërsa, drejtimin e saj e kanë marrë përsipër Ruçi, Xhafa, Islami etj. Shtabi funksionon nëpërmjet grupeve të veçanta të cilat merren me aspekte të veçanta të fushatës. Për momentin i rëndësishëm është komunikimi i qendrës me krerët e bazës dhe këta të fundit me anëtarët e thjeshtë. Pjesë e parë e këtij plani është përcaktimi i njerëzve që janë bindës apo në pikëpyetje për të bashkëpunuar me strukturat e partisë. Të gjitha këto pikëpamje do të diskutohen në mbledhjen e kryesisë së radhës. Pikat fillestare të këtij plani janë përfshirë në axhendën e PS-së për muajt korrik-dhjetor 2008 dhe aty prioritet mbeten komunikimi me bazën, shpërndarja e anëtarëve të kryesisë dhe deputetëve në bazë, përcaktimi i kritereve për përcaktimin e kandidatëve etj. Në fillim të vitit tjetër nis faza e dytë, gjatë së cilës mund të ketë edhe një ide se kush mund të jetë ekipi që do përfaqësojë PS në zgjedhje.

PS reagon për raportin e TIA-s

Partia Socialiste reagoi dje ndaj raportit të TIA-s, i publikuar dy ditë më parë, i cili tregonte se Shqipëria krahasuar me një vit më parë ka bërë progres në luftën ndaj korrupsionit. Nënsekretari për Programin në PS, Ilir Beqja, pa e marrë për bazë rezultatin, tha se gjithsesi shqiptarët qeverisen nga një qeveri që gënjen për të mbuluar korrupsionin. Për të justifikuar rezultatin e raportit, Beqja tha se shumë organizata ndërkombëtare, përfshi këtu edhe TIA-n, kërkojnë shkëputje nga fenomeni i korrupsionit. “Sot, pas tre vjetësh, jo vetëm që nuk e luftoi korrupsionin, por e instaloi në çdo qelizë të shtetit. Shqiptarët, sot, që trokasin në çdo zyrë të shtetit, përfshirë edhe zyrën e Kryeministrit, duhet të paguajnë, sepse kur nuk paguajnë, nuk marrin asnjë shërbim. Kjo është arsyeja pse dashamirësit e shqiptarëve në të gjithë botën, përfshirë edhe “Transparency International”, vazhdojnë të kërkojnë të njëjtën gjë: “Shkëputje të administratës publike nga militimi partiak dhe vendosje të saj në shërbim të qytetarit””, - tha Beqja. Sipas tij, për fat të keq Shqipëria vazhdon të mbetet ende larg, me rekorde të pakrahasueshme, me çdo vend të Bashkimit Evropian, përfshirë edhe të pranuarit rishtazi. “Kjo qeveri akoma nuk ka sqaruar korrupsionin e Gërdecit, akoma nuk ka sqaruar asnjë konstatim të Kontrollit të Lartë të Shtetit për vjedhjet masive në tre vitet e fundit”, - përfundoi Ilir Beqja.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›