Kryeministri Sali Berisha analizon ngjarjen e Gjirokastrës
Verifikim tërësor lejeve të ndërtimit, të gjitha janë të financuara nga ryshfeti”
Kryeministri Berisha tha se do të nisë një studim tërësor gjeologjik i të gjitha zonave të ndërtimit në Gjirokastër, por edhe në të gjitha qytetet e tjera të Shqipërisë. Kreu i qeverisë nënvizoi se babëzia e zyrtarëve ka rënë pre e rryfshfetit dhe lëshon leje ndërtimi të pastudiuara dhe në thelb antiligjore. Sipas kryeministrit, qeveria do të zbatojë ligjin, nuk do ti rrëmbejë kompetencat njësive vendore.
“Në të gjithë vendin do të verifikohen të gjitha lejet e ndërtimit, nga njësitë vendore, për të konstatuar ligjshmërinë e tyre”. Kështu u shpreh dje kryeministri Sali Berisha, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, një ditë pas tragjedisë së Gjirokastrës, ku sipasojë e shembjes pjesërisht të një pallati, u shënuan tre viktima dhe dhjetëra të plagosur. Kreu i qeverisë, duke marrë shkas nga kjo ngjarje e rëndë, reagoi ashpër ndaj drejtuesve të njësive vendore, të cilët i nënshtrohen ryshfetit dhe lëshojnë pa kriter lejet e ndërtimit. “Është i domosdoshëm një verifikim tërësor i lejeve të ndërtimit, në përputhje me legjitimitetin e tyre, sepse nuk ka gjë më të shëmtuar kur ti si shtet shkel ligjin, bëhesh ilegal, ilegjitim me veprimet e tua dhe këtë gjë, e bën në të gjitha rastet, absolutisht vetëm kundrejt ryshfetit, babëzisë dhe gjobës. Këto leje janë që të gjitha të financuara nga ryshfeti. Ndaj është e domosdoshme të mendojmë për një rishqyrtim tërësor të këtij procesi, i cili faktikisht, nëpërmjet mekanizmave zyrtare, krijoi atë dramë në Gjirokastër. Ne kemi decentralizuar Inspektoriatin ndërtimor dhe kemi bërë shumë mirë. Por, kjo ngjarje jep mësimin se, nëse jepet një leje e paligjshme, që kërcënon jetë, kjo e drejtë “varroset” në policinë bashkiake.
Njihen rastet kur policia ndërtimore dërgon fadromat tek një objekt, si rasti Kokona. I thotë; zoti kryetar, duhen 5 ditë dhe ai i tha; “O Llesh, unë të kam vënë aty për Llesh e jo për ligj”. Kështu që, duhet të kemi parasysh edhe sjelljen e kryetarit ndaj vartësve”, u shpreh Berisha. Shefi i ekzekutivit, nënvizoi se “qeveria qendrore nuk do ia marrë kompetencat qeverisë vendore në këtë aspekt, por absolutisht, ne do t’i dalim zot ligjit dhe do të gjejmë mekanizmat me të cilat Inspektorati qendror do të aktivizojë në kohën më të shkurtër Këshillin qendror të Rregullimit të Territorit, për të marrë vendimet e duhura në mbrojtje të jetës së qytetarëve dhe të drejtave të tyre. Ne nuk mund të ecim më në këtë mënyrë. Nuk respektohet asnjë rregull. Qytetarët që kanë lëvizur banim, nuk kanë ndërtuar pallate, por thjesht ndonjë shtëpi, ndërsa zyrtarët ndërtojnë dhe lartësojnë pallate, aty ku nuk mund të ketë kurrë pallate”, theksoi më tej Berisha.
Nga ana tjetër, kreu i qeverisë Sali Berisha, kërkoi dje nga ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi dhe deputetit të zonës, ministrit të Ekonomisë, Genc Ruli, për ngritjen e një grupi pune me gjeologë dhe ekspertë, në mënyrë që të shqyrtohet situata e kodrës ku shtrihet zona që u shemb një pjesë e pallatit në lagjen “11 janari”. Kryeministri kërkoi një ndërhyrje me urgjencë edhe sipas udhëzimeve të specialistëve, zona mund të evakuohet ose një çimentim tërësor i saj.
Kryeministri u shpreh gjithashtu se, ministria e Brendshme duhet të sjellë të gjitha vendimet për të ndihmuar familjet e dëmtuara.
“Ne duhet të bëjmë çdo përpjekje që pasojat e këtij akti shumë të rëndë të kapërcehet, sikundër, drejtësia, me vendosmëri, të nxjerrë para ligjit të gjithë përgjegjësit e tij”, vuri në dukje kreu i qeverisë.
...