Solidarizohen bizneset private dhe persona të ndryshëm

Prefektura strehon familjet, shpërndan edhe ndihma financiare
Prefektura e Gjirokastrës ka marrë të gjitha masat për strehimin e banorëve të pallatit që u shemb në orët e para të ditës së diel në në lagjen “11 janari” të këtij qyteti.
Prefekti i Gjirokastrës, Spiro Ksera, bëri të ditur dje për mediat se zhvilloi një takim në prefekturë me banorët e pallatit të shembur, me të cilët diskutoi për strehimin e tyre. Sipas tij, të mbijetuarit nga ngjarja janë strehuar tek të afërmit e tyre dhe një pjesë te mjediset e konviktit të universitetit "Eqrem Çabej".
Ndërkohë mësohet se Prefektura e Gjirokastrës shpërndau dje nga 50 mijë lekë për çdo familje të dëmtuar nga shembja e pallatit.
Prefekti Spiro Ksera, bëri të ditur se kjo ishte ndihmë e grumbulluar nga biznesmenët e Qarkut gjatë ditës së sotme, në numrin e llogarisë bankare të çelur enkas nga Prefektura e Gjirokastrës për të ndihmuar të dëmtuarit nga kjo fatkeqësi. Ai njoftoi se deri tani në këtë numër janë grumbulluar rreth 1 milion lekë.
Ndihmën e Prefekturës e përfituan banorët e 15 apartamenteve të pallatit. Pesë apartamente të tjera kishin qenë të mbyllura dhe pronarët e tyre ndodhen në emigracion.
Prefekti Ksera tha se kanë treguar gatishmëri për të dhënë ndihmë edhe disa shoqata humanitare, si “Karitasi”, “Kryqi i Kuq”, etj.
Familjarët e prekur nga tragjedia e së dielës përfituan ndihma edhe nga Bashkia.e Gjirokastrës, një fond i Qeverisë shqiptare që shpërndahet nga Bashkia. Burime nga kjo bashki pohuan se sipas ligjit shqiptar, çdo familje përfiton nga 20 mijë lekë për frymë.
Pjestarët e familjeve të pallatit falenderuan Qeverisë, e cila "iu ndodh pranë në një ditë të tillë" dhe thanë se "do të vazhdojnë të bashkëpunojnë me pushtetin qendror, që strehimi i tyre të bëhet sa më shpejt", siç theksuan ata, "aq më shumë për shkak të afrimit të dimrit".
...