Shefi i Ekzekutivit garanton se drejtësia do të vendosë para ligjit të gjithë përgjegjësit e tragjedisë
“Qëndrimi ynë nuk mund të jetë si qëndrimi i moralit të Edi Ramës, i tipi ‘rroftë vdekja poshtë opozita’”
Kryeministri Sali Berisha, në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, i njohu deputetët me të gjithë situatën dhe masat e ndërmarra nga strukturat shtetërore në përballimin e pasojave nga shembja e pallatit, në Gjirokastër. Kryeministri u shprehu ndjenjat e solidaritetit më të thellë familjarëve të viktimave dhe banorëve të tjerë të prekur nga kjo ngjarje e rëndë dhe i garantoi ata se qeveria do të marrë të gjitha masat për të normalizuar jetën e tyre. “Qëndrimi ynë nuk mund të jetë kurrë qëndrimi i moralit të z. Rama. Ne, në asnjë rrethanë dhe në asnjë rast, nuk do të brohorasim ndonjëherë “rroftë vdekja, poshtë opozita”. Ky nuk është morali ynë. Ne u shprehim ndjenjat e solidaritetit më të thellë qytetarëve të Gjirokastrës dhe i garantojmë ata se qeveria do të marrë të gjitha masat për të normalizuar jetën e tyre. Ne shprehim ngushëllimet familjeve të viktimave dhe lutemi së bashku me ta, për shpirtin e njerëzve të tyre të dashur dhe urojmë që të plagosurit nga kjo ngjarje të shërohen sa më shpejtë”, tha kryeministri. Shefi i ekzekutivit, theksoi se “në ngjarjen e rëndë të Gjirokastrës, mund të kishim pasur edhe 40 apo 50 jetë të humbura, sepse ai pallat kishte pamjen sikur të ishte bombarduar. Policia dhe prokuroria nisën menjëherë hetimet për këtë ngjarje. Policia ndaloi drejtuesit e firmës, të cilët, në një akt më të shëmtuar sesa krimi që ndodhi, po ia mbathnin për t’u larguar nga Shqipëria. Ne u shprehim ndjenjat e solidaritetit më të thellë qytetarëve të Gjirokastrës dhe i garantojmë ata se qeveria do të marrë të gjitha masat për të normalizuar jetën e tyre. Ne shprehim ngushëllimet familjeve të viktimave dhe lutemi së bashku me ta për shpirtin e njerëzve të tyre të dashur dhe urojmë që të plagosurit nga kjo ngjarje të shërohen sa më shpejtë. Ne kërkojmë hetimin më të plotë të kësaj ngjarjeje tepër të rëndë, e cila tronditi thellë qytetin dhe Shqipërinë. Drejtësia duhet të vendosë para ligjit të gjithë autorët, ata të cilët shkaktuan këtë akt shumë të rëndë. Drejtësia duhet të zbërthejë tërësisht zinxhirin e përgjegjësive për këtë ngjarje. Këtë gjë kërkon Gjirokastra dhe këtë kërkon gjithë Shqipëria. Hetimet janë intensive dhe ato po vazhdojnë”, vuri në dukje Berisha.
...