E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Sali Berisha takon zvpresidentin e BEI-t z. Gerlando Genuardi

Kryeministri Sali Berisha priti të enjten delegacionin e Bankës Europiane të Investimeve (BEI), të kryesuar nga zvpresidenti i saj z.Gerlando Genuardi. Z. Berisha e falenderoi z. Genuardi për rolin e rëndësishëm që ka luajtur BEI në financimin e përmirësimit të infrastrukturës në Shqipëri, në sektorin energjitik, si dhe në mbështetjen e zhvillimit të sektorit privat përmes kredive të drejpërdrejta. Nga ana e tij, z.Genuardi falenderoi qeverinë shqiptare për mbështetjen e ofruar dhe bashkëpunimin e deritanishëm dhe theksoi se BEI po sheh mundësitë për të zgjeruar aktivitetin e saj dhe në sektorë të tjerë të rëndësishëm si në arsim dhe shëndetësi. Një politikë e tillë, u shpreh z. Genuardi vjen në linjë me prioritetet e Shqipërisë të integrimit europian, ku krahas përmirësimit infrastrukturor, rëndësi merr edhe përmirësimi i cilësisë së arsimit dhe shëndetësisë. Më tej, z.Berisha u ndal në projektet prioritare në fushën e infrastrukturës, duke theksuar ftesën për të shtrirë bashkëpunimin dhe për projekte në infrastrukturën strategjike si Korridori 8-të, financimin e segmentit Durrës-Kukës dhe përfundimin e segmentit Fier-Vlorë, në projektet në fushën energjitike, ku përveç angazhimit të saj për ndërtimin e TEC-it, për të eksploruar edhe mundësitë e lidhjes së Shqipërisë me rrjetin rajonal të gazit. Z.Berisha u ndal gjithashtu në një shpjegim të detajuar të prioritetet e qeverisë në fushën e arsimit dhe shëndetsisë. Përfaqësuesi i lartë i BEI-t është angazhuar se do të studiojë në mënyrë të hollësishme këto prioritete, si dhe do të angazhohet në bashkëfinancime me partnerë të tjerë financiarë për realizimin e tyre.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›