Z. Berisha: Parafirmosja e Marrëveshjes, një moment zotimi për të shndërruar në realitet ëndrrën e kombit, intregrimin në Europë
- Deklarata e kryeministrit Sali Berisha, pas ceremonisë së parafirmosjes së Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me BE-në -
Zonja dhe zotërinj,
Sot është një ditë e madhe Europiane për Shqipërinë. Sot, në prani të Presidentit Barroso, Komisioneri për Zgjerimin e Bashkimit Europian, zoti Olli Rehn dhe Ministri i Jashtëm i Shqipërisë zoti Mustafaj parafirmosën Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit e cila, dua të deklaroj këtu, përbën hapjen e rrugës për Shqipërinë drejt Europës. Ne e marrim këtë moment si një moment detyrimi dhe zotimi të vërtetë që me seriozitet të madh të zbatojmë këtë marrëveshje si rrugën e vetme për të shndërruar në realitet ëndrrën e kombit, intregrimin në Europë, si e ardhmja më shkëlqyer, më e mirë e tij.
Me Presidentin Barroso dhe delegacionin që e shoqëron kemi patur një diskutim të hapur, të sinqertë, për të gjitha problemet e vendit. Unë e kam siguruar atë se ne jemi shumë të vendosur të punojmë që kjo marrëveshje të shënojë një klimë bashkëpunimi të gjerë të të gjithë faktorëve të rëndësishëm politikë shqiptare dhe të mbarë shoqërisë shqiptare. Të punojmë me përkushtim të madh që atë ta meritojmë në mënyrë që problemet trashëguara dhe problemet e krijuara me imazhin e vendit të ndryshohen me punë dhe me rezultate konkrete. Ne mbetemi të vendosur në parimet e mëdha të demokracisë, në respektimin e palëkundur të fjalës së lirë, të decentralizimit sikundër në luftën kundër korrupsionit dhe zero tolerancë ndaj krimit të organizuar, si kushte vendimtare për të nxjerrë Shqipërinë nga situata. Ligji dhe zbatimi i tij janë një përkushtim i madh i yni dhe ne kemi bindjen se kemi mbështetjen e fuqishme të BE-së dhe vendeve anëtare, për të gjithë përpjekjen tonë për rivendosjen e shtetit ligjor në Shqipëri. Faleminderit shumë! Kjo ditë nuk do të ishte e mundur pa përkushtimin e ekipit të Komisionit Europian dhe të vendeve anëtare të BE-së të cilët i kanë dhënë Shqipërisë një ndihmë të jashtëzakonshme e të gjithanëshme, financiare, teknike, morale, të gjithanshme. Ne mbetemi shumë mirënjohës dhe të detyruar ndaj kësaj ndihme.
Kam qenë në opozitë, tani jam në qeveri. Në marrëveshjen e qershorit 2002, në të cilën opozita pranoi kompensimin për zgjedhjet e dhunuara, një kuadër të përcaktuar nga Parlamenti Europian, e bëri atë në emër të procesit të integrimit. Ajo marrëveshje që ne nënshkruam me qeverinë i hapi rrugën pak muaj më vonë hapjes së negociatave për marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, sipas deklarimeve dhe të ish presidentit të KE-së, Romano Prodi dhe ish komisionerit përÇështjet e Jashtme, Kris Patten. Nuk ka asnjë mëdyshje se ne jemi shumë të hapur, të interesuar për bashkëpunimin me opozitën në të gjitha problemet, në veçanti për problemin e integrimit. Unë kam bindjen se shteti ligjor është parim fondamental i të gjitha forcave demokratike dhe në interesin e të gjithë qytetarëve shqiptarë. Kam bindjen se procesi i integrimit mund të jetë proces i një partie politike, por proces që ka kontributin e qytetarëve shqiptarë në radhë të parë dhe të gjitha forcave politike të pozitës dhe opozitës.Çfarë të kemi në dorë ne në reforma do të jemi të gatshëm të bëjmë kompromis. Presidenti Barroso më ngriti çështjen e reformës elektorale. Unë e siguroj presidentin se partia që unë përfaqësoj dhe qeveria është e gatshme t'i njohë plotësisht, siç ka vendosur, të drejtën e vetos PS-së, të mos përdorë në asnjë rast veton për të gjitha rekomandimet e OSBE-së dhe ODHIR-it, të pranojë cilindo sistem elektoral që të sugjerojë opozita. Shpresoj që në këtë kuadër edhe opozita të marrë vendimet e veta.
Unë e sigurova Presidentin Barroso për përkushtimin tonë të plotë dhe total ndaj lirisë së medias. Për herë të parë në 15 vjet, në një periudhë disamujore, në përputhje me programin e shpallur para zgjedhjeve, nuk ka asnjë padi civile apo penale ndaj mediave dhe nuk do të ketë ndonjëherë përsa kohë kjo administratë të jetë në pushtet. Sikundër, shpreha zotimin tonë se nuk do të ketë tolerancë ndaj piraterisë. Pirateria është një formë kontrabande e patolerueshme e cila pasuron disa, por rrënon autorët e pronësisë. Dhe unë jam i sigurt se në këtë kontekst punojmë për një standart europian.