Kryeministri Thaci dorëhiqet nga posti i deputetit
PRISHTINë- Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, bëri të ditur sot përmes një letre drejtuar kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, dorëheqjen e tij nga pozita e deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës. "Këtë veprim e kam ndërmarrë duke pasur parasysh përkushtimin tim ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës, si dhe të përmbushjes në mënyrë sa më efikase të të gjitha detyrave të mia si Kryeministër", thuhet në këtë letër, e cila u shpërnda pak më parë nga zyra e Kryeministrit Thaçi. "Një gjë e tillë do të ndihmonte edhe vet Kuvendin e Republikës së Kosovës në rritjen e efikasitetit në punë dhe krijimin e mundësisë për deputet të rinj, që do të jenë të përkushtuar vetëm në punët dhe detyrat që përkojnë me funksionin e deputetit", theksohet në letrën e Kryeministrit Thaçi dërguar kryeparlamentarit Krasniqi. (e.n/BalkanWeb)