E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri belg: Mbështetje për vizat dhe statusin në BE

Mesazhi Yves Leterme zhvillon vizitën zyrtare në Tiranë, takon homologun Sali Berisha dhe kreun e shtetit, Bamir Topi

Belgjika mbështet dhe do të ndihmojë Shqipërinë për të përfituar këtë vit liberalizimin e vizave dhe marrjen e statusit kandidat në Bashkimin Europian. Kjo u konfirmua dje nga Kryeministri i Mbretërisë së Belgjikës, Yves Leterme, gjatë një takimi që ai zhvilloi në Tiranë me Kryeministrin Berisha. Duke qenë se Belgjika është vendi i cili në gjashtëmujorin e dytë të këtij viti, merr presidencën e radhës së Bashkimit Europian, Leterme theksoi se mbështetja e Belgjikës këtë vit për vendin tonë, ka një rëndësi të veçantë. Kryeministri Berisha në konferencën e përbashkët që zhvilloi me homologun e tij belg, e cilësoi këtë vizitë si historike, nisur nga fakti se ishte hera e parë që një Kryeministër i Belgjikës vizitonte Shqipërinë. Berisha deklaroi se në diskutimet që ata që kishin pasur, mbështetja për vizat dhe integrimin europian kishte qenë temë kryesore. Në lidhje me procesin e liberalizimit të vizave, Kryeministri belg deklaroi se Shqipëria duhet të përmbushë të gjitha kërkesat që vinin nga BE. Në këtë kuadër, Leterme theksoi se liberalizimi shikohej nga ana e BE-së si një proces teknik për Shqipërinë dhe një detyrim të unionit për qytetarët shqiptarë. “Unë e konsideroj procesin e liberalizmit të vizave teknik dhe jo politik. është shumë e rëndësishme të plotësohen të gjitha kushtet dhe mendoj se të gjithë qytetarët europianë dhe qytetarët shqiptarë, qytetarë të ardhshëm europianë, e meritojnë këtë lloj trajtimi”, u shpreh Leterme në konferencën e përbashkët për shtyp. Nga ana tjetër, ai ofroi edhe ndihmën e Belgjikës në plotësimin pyetësorit të Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat. Leterme i premtoi Berishës se ndihma e ekspertëve belgë për pyetësorin nuk do të mungojë. “Do të dëshiroja të nënvizoja në emër të qeverisë federale të Mbretërisë së Belgjikës se në jemi të angazhuar si vend anëtar i BE-së ndaj destinacionit të ardhshëm europian të Shqipërisë. Unë mendoj se në të ardhmen anëtarësimi i plotë Shqipërisë në BE mund të jetë një ndër faktorët kryesorë të stabilitetit në rajon”, shtoi Kryeministri i Belgjikës në fjalën e tij. Sakaq, dy homologët biseduan edhe për marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë dhe Belgjikës, ku u theksua marrëveshje lidhur me transferimin e të ndaluarve që janë pa leje qëndrimi. Më pas, Kryeministri Leterme zhvilloi një takim edhe me kryetarin e shtetit, Bamir Topi. Përveç diskutimeve në lidhje me proceset integruese të Shqipërisë dhe marrëdhënieve dypalëshe mes dy shteteve, temë bisede ishin edhe negociatat që Topi po zhvillon me Kryeministrin Berisha dhe kreun e PS-së, Edi Rama, për zgjidhjen e krizës politike. Në lidhje me këtë çështje, Kryeministri belg e përgëzoi Presidentin Topi për rolin e ndërmjetësit dhe përpjekjet e tij konstruktive në këtë dialog mes pozitës dhe opozitës, duke shpresuar për gjetjen e një zgjidhjeje sa më shpejtë e të suksesshme.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›