E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mori peng ish të dashurën, lihet i lirë

Fier Vajza e dhunuar: Tani më rrezikohet jeta

Lirohet djali i ish-prefektit të Fierit, i cili katër ditë më parë u arrestua për pengmarrje. Prokuroria e rrethit ka kërkuar zbutje të masës së sigurisë për Erion Trokën dhe gjykata e ka pranuar kërkesën. Ndryshimi i masës së sigurisë ka sjellë reagimin e vajzës së dhunuar prej tij, e cila thotë se tani është në rrezik serioz për jetën. Në seancën e vlerësimit të masës së sigurisë, të zhvilluar të martën në gjykatë, gjyqtarja e çështjes ka dhënë të njëjtin vendim me kërkesën e bërë nga prokuroria Elsa Miho: hetim në gjendje të lirë. Në analizën e saj, prokurorja ka anashkaluar paditë e vazhdueshme që Ertilda Spaho ka kryer ndaj dhunuesit, si dhe faktin që ai ka qenë nën hetim për një tjetër vepër penale. Nuk është marrë në konsideratë as kërkesa për mbrojtje që ka bërë nga Spaho. Kryetari i Gjykatës së Fierit, Andi Civici, dhe gjyqtarja Irena Maneku thanë për “Shqip” se “vendimi është marrë në bazë të kërkesës se prokurorisë. Nuk mund të merret një vendim më i rëndë nga ai që kërkon akuza”. Ndërsa kreu i Prokurorisë së Fierit, Altin Binaj, tha se akuza ndaj Erion Trokës ka qenë e klasifikuar si kundërvajtje penale. Ndërkaq, Ertilda Spaho, vajza e dhunuar nga djali i ish-prefektit Rauf Troka tha: “Isha e bindur që do të ndodhte kështu. Këtu nuk ka drejtësi. Tani më rrezikohet jeta”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›