Kryeministri boshnjak Brankoviç jep dorëheqjen
Kryeministri i qeverisë së federatës myslimane kroate të Bosnjës, Nexhzad Brankoviç, i dërgoi një letër dje presidentit të vendit ku paraqiste dorëheqjen e tij. Nëse pranohet nga presidenti, rrëzimi i qeverisë së Brankoviçit mund të verë në rrezik kredinë prej 1,2 miliardë euro të marrëveshjes së arritur në prill me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), për mospërmbushje të kritereve të vëna nga FMN-ja deri në afatin e caktuar.
Brankoviç drejtoi një ekip të Federatës Myslimane Kroate për tre javë me radhë që u zhvilluan negociatat me FMN, gjatë të cilave qeveria u angazhua të ulte në mënyrë të ndjeshme shpenzimet publike dhe pagat për të cilat shumë janë shprehur se mund të rezultojnë në trazira sociale. Ai e deklaroi vendimin e tij për të dhënë dorëheqjen të martën pasdite gjatë kongresit të Partisë Veprimit Demokratike (SDA), partia më e madhe myslimane boshnjake, pasi Sulejman Tihiç u rizgjodh presidenti i saj. Tihiç, partia e të cilit kishte emëruar Brankoviçin në postin e kryeministrit pas fitores në zgjedhjet e vitit 2006, i bëri thirrje Brankoviçit të largohej muajin e kaluar, pasi një gjykatë në Sarajevë e akuzoi për abuzim me pushtetin gjatë kohës që ai ishte menaxheri i përgjithshëm i një kompanie shtetërore që paguante për strehimin e tij. Brankoviç refuzoi të jepte dorëheqjen në atë moment, me shpresën se Tihiç nuk do të rizgjidhej sërish në krye të partisë. Brankoviç nuk ka bërë asnjë koment mbi akuzën për abuzim me pushtetin.