E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kadare, Prishtinë: Koha po punon për shqiptarët

Shkrimtari i njohur shqiptar, Ismail Kadare, tha në Prishtinë se koha po punon për Kosovën dhe për shqiptarët. Një gjë është e vërtetë, që Kosova ecën përpara, kombi shqiptar ecën përpara, koha punon për ta, ka thënë ai. Për të ardhur deri te këto momente, Kadare ka lënë të kuptohet se nuk ka qenë e lehtë, meqë, siç thotë ai, jo gjithmonë është lehtë të mbrohet e drejta. Ai i ka bërë këto komente në Prishtinë, pas takimit që pati me presidentin Fatmir Sejdiu. Të mbrosh të drejtën është disa herë tepër e vështirë, ashtu sikurse është e lehtë për shtete të tjera që mbrojnë të shtrembrën, mbrojnë mashtrimin. Për fat të keq, kjo ndodh, ne nuk mund të ndryshojmë zakonet e njerëzimit, tha Kadare. Në anën tjetër, presidenti Fatmir Sejdiu e ka quajtur Kadarenë ambasadorin më të mirë të prezantimit të identitetit shqiptar në Evropë. E falënderoj për mbështetjen e fuqishme dhe porositë e gjithmonshme në kohën e duhur për ecjet tona dhe përkushtimin në mbështetje të mëtejme për rolin që ka, pasi që është personalitet unikat, dhe duhet ta them misionar dhe ambasador më i mirë në kuptimin e prezantimit të identitetit shqiptar në Evropë. Njeriu që ka shpërthyer në 4 anët e globit në mënyrën më të mirë të mundshme, tha presidenti Sejdiu. Shkrimtari Kadare është shprehur i kënaqur që ka gjetur gjuhë të përbashkët me presidentin Sejdiu për zhvillimet në Kosovë. Sështë hera e parë që jemi takuar bashkë, nuk është hera e parë që jemi mirëkuptuar, nuk është hera e parë që kemi pasur mendime të njëjta për gjërat e Kosovës, që janë gjëra themelore të kombit shqiptar, u shpreh ai. I pyetur të komentojë për rëndësinë e rrugës Durrës - Kukës - Prishtinë, shkrimtari shqiptar ka thënë se lidhjet mes Kosovës dhe Shqipërisë kanë ekzistuar gjithmonë. Këto afrime, sipas tij, e kapërcejnë atë që mund të bëjë një rrugë. Afrimi i Shqipërisë me Kosovën ka qenë, mendoj unë, në trajta të ndryshme gjithmonë, pavarësisht sa është dukur dhe sa nuk është dukur, pavarësisht se sa është deklaruar e sa jo. Mendoj se e kapërcen dukshëm atë që ju thatë, çështja e një rruge, që është e rëndësishme dhe një lajm i gëzuar që do ta kemi së shpejti. Por, ajo e kapërcen këtë gjë, është diçka shumë e thellë, shumë e rëndësishme dhe shumë më e madhe, nënvizoi Kadare.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›