E Diel, 1 Nëntor 2026

Ivanov ndryshon agjendën, Sejdiu anulon vizitën në Maqedoni

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, e ka anuluar ftesën e presidentit maqedonas Gjorgje Ivanov, pasi Shkupi nuk do ta presë me ceremoni shtetërore, ashtu siç do të ndodh me kreun e çdo shteti, duke e konsideruar këtë thjesht si një takim pune. Në një komunikatë të lëshuar nga kabineti i presidentit thuhet se vendimi për të anuluar vizitën në Maqedoni ka pasuar vendimin e palës maqedonase për ta ndryshuar karakterin e vizitës. Meqenëse pala maqedonase e ndryshoi karakterin e vizitës zyrtare, Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu e anuloi vizitën në Republikën e Maqedonisë, të planifikuar për datën 28 maj 2009, thuhet në një njoftim të Presidencës. Po ashtu, në këtë komunikatë theksohet se, presidenti i Republikës së Kosovës si dhe institucionet e saj, mbeten të përkushtuara për marrëdhënie të mira me të gjitha vendet e veçmas me fqinjët - duke u dhënë këtyre marrëdhënieve peshën dhe vlerën serioze që e meritojnë. Ndërkohë që gjatë ditës së djeshme, mediat kosovare kishin paralajmëruar vizitën zyrtare të presidentit të Kosovës në Shkup, i cili ishte ftuar nga homologu i tij maqedonas Gjorgje Ivanov. Përfaqësues të presidencës kishin njoftuar se, edhe pse ishte paralajmëruar takimi në Ohër, ku kjo vizitë do të konsiderohej në cilësinë private dhe pa protokoll të një ceremonie zyrtare, Ivanov e Sejdiu do të takoheshin në Shkup. Megjithatë, Kabineti i Ivanovit nuk ka paraparë të organizojë ndonjë ceremoni solemne zyrtare. Madje mund të ndodhte që edhe flamuri i Kosovës të mos vendosej para ndërtesës së presidencës, krahas flamurit te Maqedonisë. Në këtë takim të parë të dy presidentët do të japin sinjale inkurajimi dhe do të demonstrojnë raporte të mira mes dy vendeve, por nuk mund të vendosin për datën e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, pasi ajo është çështje teknike, për të cilën presidentët nuk kanë kompetenca, thuhej ndër të tjera nga Kabineti i kryetarit të Maqedonisë. Nga ana tjetër, edhe kryeministri i Maqedonisë Nikola Gruevski, nuk mundi të jepte një datë se kur do të vendosen marrëdhëniet diplomatike me Kosovën. Nuk ka diçka të re në ketë drejtim. Kur do të kemi do të ju njoftojmë.... Do të vendosen edhe ato një ditë, ka deklaruar kryeministri Nikolla Gruevski. Presidenti Sejdiu ndërkaq, ka bërë të ditur se ka marrë ftesë për vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë, mirëpo ka theksuar se, ndryshimi i cilësisë së kësaj vizite do ta detyronte që ta rishikojë vendimin për ta vizituar vendin fqinj. Kam pranuar ftesën për vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë, edhe një herë e përsëris për vizitë zyrtare, me gjithë cilësitë që duhet të ketë një vizitë zyrtare - prandaj protokollet e njërit dhe vendit tjetër janë duke punuar. Dua të besoj se vizita do të realizohet në këtë cilësi. Kam qëndrimin shumë të qartë, çdo lëvizje nga ajo më shtyn apo të jap apo ta rishikoj qëndrimin tim, ka thënë presidenti.
Sejdiu vetëm për vizitë private në Maqedoni?!
Presidenca e Maqedonisë kishte ndryshuar agjendën e pritjes së presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, ku destinacioni mund të ishte vila private presidenciale Biljana në Ohër dhe jo në Shkup. Lajmi u konfirmua nga Kabineti i presidentit maqedonas Gjorgje Ivanov, ku siç thuhej, vizita e së enjtes e presidentit Sejdiu nuk do të zhvillohet në Shkup, por në vilën private presidenciale në Ohër, ku kjo vizitë konsiderohet vetëm në cilësinë private dhe pa protokoll të një ceremonie zyrtare të dy presidentëve. Arsyeja e Kabinetit të Presidencës në Shkup ka qenë se presidenti Ivanov do të jetë i pranishëm në Ohër më 28 maj, në Forumin e Biznesit Maqedoni-Turqi, që po mbahet këto dy ditë në këtë qytet. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu ka qenë një nga homologët e vetëm të rajonit që nuk ishte ftuar në inaugurimin e presidentit të ri të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›