Merkel: Bashkëpunimi franko- gjerman, garanci progresi në Evropë
Kancelarja gjermane, Angela Merkel theksoi se bashkëpunimi mes Gjermanisë dhe Francës ishte garancia më e mirë që Bashkimi Evropian të arrijë të ketë sukses. Në një fjalim mbi Evropën në një universitet të Berlinit, Merkel u shpreh gjithashtu e bindur që irlandezët do ta pranonin traktatin e Lisbonës që reformon institucionet evropiane, të cilin e hodhën poshtë një vit më parë.
"Marrëdhënia jonë e veçantë, e ngushtë dhe miqësore me Francën është thelbësore për punën e Evropës", deklaroi kancelarja. Një iniciativë e përbashkët franko-gjermane është garancia më e mirë që Evropa të arrijë të bjerë dakord për të ecur përpara. Ajo nënvizoi se iniciativa të tilla nuk duhej të perceptoheshin si "diktate" dhe se vendet e tjera anëtare duheshin konsultuar paraprakisht. Por në të kundërt, sipas saj nëse Parisi dhe Berlini punojnë kundër njeri-tjetrit përpjekjet e tyre rrezikojnë të dështojnë. Me sa duket është hera e parë që Merkel, kancelare që prej 2005 shprehet me këto terma mbi rëndësinë e bashkëpunimit franko-gjerman. Ky formulim ngjan me atë të diplomatëve francezë që shpjegojnë se ai që është quajtur për një kohë të gjatë "aksi franko-gjerman" nuk është motori i vetëm i Evropës së zgjeruar me 27 anëtarë, por që pa mirëkuptimin mes këtyre dy vendeve, Evropa nuk bën dot përpara. Kancelarja deklaroi se bashkëpunon me kënaqësi dhe në mënyrë intensive me presidentin Nicolas Sarkozy. Marrëdhëniet mes dy drejtuesve, me karakter të kundërt, nuk kanë qenë të ngrohta që prej një kohe të gjatë.