Pollo: Edi Rama t’i bashkohet procesit të aplikimit të kartave të identitetit

Zëvendëskryeministri, Genc Pollo i bëri thirrje sot në Kuvend, kryetarit të PS-së, Edi Rama që t'i bashkohet procesit të aplikimit të kartave të identitetit. "I vetmi që nuk ka aplikuar nga përfaqësuesit e lartë politikë është Edi Rama, i cili vazhdimisht del me një tezë tjetër", deklaroi sot në Kuvend, zv/kryeministri Pollo, i cili i bëri thirrje kryesocialistit Rama që të bëhet kontribues pozitiv në këtë proces dhe të ketë një qasje konstruktive, ashtu siç e kanë edhe liderë të tjerë të opozitës. Duke shprehur angazhimin e qeverisë në përmbushjen e këtij standardi të rëndësishëm për zgjedhjet e 28 qershorit, ai vlerësoi nismën e shpallur dje nga kryeministri Sali Berisha për t'i ofruar karta identiteti falas komunitetit rom, sikurse ka ndodhur dhe me kategorinë e paraplegjikëve dhe të të verbërve. “Është ironike që kryetari i PS-së, i cili vazhdimisht ngul këmbë në pretendimet e tij asburde për karta veresie, nuk e përshëndeti këtë nismë", tha z. Pollo. Në kuadër të këtij procesi, tha zv/Kryeministri Pollo, "qeveria do të organizojë dhe mbështesë transportin e shtetasve shqiptarë nga fshatrat e largët e deri tek zyrat e gjendjes civile, për krijimin e kushteve për ata shtetas që për arsye ekonomike, por dhe logjistike, ende nuk kanë aplikuar. Shqipëria nuk është si bashkia e kryeqytetit, ku askush nuk mund të marrë çertifikatë pa paguar supertaksën e Edi Ramës, që i përjashton nga të gjitha shërbimet e tjera. Ky është modeli i ofruar nga kjo bashki, i cili duhet ndryshuar patjetër. Dhënia e dokumenteve nuk duhet kushtëzuar nga supertaksat që vendos një kryebashkiak i papërgjegjshëm", tha Pollo sot në parlament.
...