Kuvendit debaton mbi projekt ligjin “Për administrimin e objekteve të përbashkëta në ndërtesën e banimit”

Projektiligji "Për administrimin e objekteve të përbashkëta në ndërtesën e banimit" ka shkaktuar debate gjatë shqyrtimit të tij në seancën e sotme në Kuvend. Drafti i Ministrisë së Transporteve i detyron banorët e çdo pallati që të zgjedhin një asamble dhe një administrator, i cili do të kujdeset për mirëmbajtjen e objekteve të përbashkëta. Në paketën e mirëmbajtjes përfshihen sigurimi i bashkëpronësisë, shërbimet e pastrimit, remontet e ashensorit e të tjera. Tarifat për shërbimet përcaktohen nga asambleja dhe do të paguhen nga qytetarët që banojnë në ndërtesën e banimit. Por, opozita kërkoi rishqyrtimin e këtij projekti nga Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese pasi sipas tyre ai është evaziv. Sipas deputetit të PS-së, Flamur Hoxha projekti nuk parashikon objektet 1-katëshe që janë monumente kulture, ose ngarkon me përgjegjësi bashkëpronarët dhe kur një nga elementët dëmtohet nga një tjetër bashkëpronar. Duke mbrojtur këtë projekt, ekspertë të Ministrisë së Transportit, të pranishëm në seancë shpjeguan se "për objektet në pronësi individuale që kanë vlera të veçanta, ligji ka kompetenca për ato pjesë të pronës që janë në bashkëpronësi. Kurse, mirëmbajtja për objektet që përfshihen si monumente të kultures rregullohet me një tjetër ligj". Ata sqaruan se ky projekt synon rregullimin e marrëdhënieve juridike në fushën specifike të administrimit të ndërtesave, që rrjedh si e tillë nga bashkëpronësia e detyrueshme mbi objektet e përbashkëta që ndodhen në to, dhe kanë një regjimin juridik të posaçëm". Sipas tyre, nevoja për hartimin e këtij ligji ka lindur si rrjedhojë i disa faktorëve, që kanë rezultuar me mungesë të mirëmbajtjes së banesave. Këta faktorë, shpjeguan ekspertët lidhen me procesin e tranzicionit ekonomik e social, si dhe me mungesën e dispozitave të veçanta dhe specifike që përcaktojnë rolin, funksionin dhe marrëdhëniet midis bashkëpronarëve dhe institucioneve të tjera. Projekligji, shtuan ekspertët, përcakton qartë të drejtat dhe detyrimet që qytetarët kanë për objektet e përbashkëta në ndërtesat e banimit me më shumë se një pronar.
...