Matematika e Gjinushit: E majta fiton vetëm e bashkuar
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, deklaroi dje se fitorja e së majtës në zgjedhjet e ardhshme do të varet vetëm nga uniteti i saj. Profesori i matematikës u shpreh se rëndësi ka vetëm qëndrimi i bashkuar i së majtës, dhe jo mënyra se si duhet dalë në zgjedhje, parti më vete apo si koalicion. “Për të maksimizuar votën e së majtës, mbetet për të diskutuar në të ardhmen dhe me aktorët e tjerë politikë të së majtës, gjithmonë me synimin për të shkuar sa më të bashkuar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, - tha Gjinushi. Këtë deklaratë Gjinushi e bëri dje gjatë një takimi me ish-zëvendësin e tij në parti, aktualisht kryetari i Demokracisë Sociale, Paskal Milo. Milo mbrojti idenë e Gjinushit si dhe shtoi se pjesë e kësaj strategjie duhet të jetë edhe LSI-ja.