Zyra doganore në Gjirokastër kalon në varësi të Ministrisë së Brendshme
Zyra doganore rajonale e Gjirokastrës ka kaluar në varësi të Ministrisë së Brendshme. Kjo zyrë nga Ministria e Financave (Drejtoria e Përgjithshme e Doganave) i kaloi me një vendim të posaçëm të qeverisë Ministrisë së Brendshme, për tu vënë në funksion të Drejtorisë së Kufirit. Qeveria vendosi dje të miratojë vendimin për kalimin në përgjegjësi administrimi të pronës Zyra doganore, Drejtoria Rajonale, Gjirokastër, nga Ministria e Financave (Drejtoria e Përgjithshme e Doganave) te Ministria e Brendshme, për Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për ta përdorur si mjedis pune për Drejtorinë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin në Gjirokastër, sipas formularit që i bashkëlidhet këtij vendimi. Vendimi përcakton që kjo pronë të hiqet nga lista e inventarit të miratuar me vendimin të Këshillit të Ministrave dhe të shtohet në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, e cila i bashkëlidhet një vendimi tjetër të Këshillit të Ministrave. Vendimi po ashtu përcakton që Ministrisë së Brendshme i ndalohet ta ndryshojë destinacionin e pronës së përcaktuar në pikën 1 të këtij vendimi, ta tjetërsojë apo tua japë në përdorim të tretëve. Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen ministri i Brendshëm, drejtori i Përgjithshëm i Doganave dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë, që të ndjekin procedurat e nevojshme për zbatimin e tij.