E Shtunë, 31 Tetor 2026

NATO, rreziku për Shqipërinë vjen nga Sllovenia

Shqipëria në NATO, pasi kaloi pengesën e Greqisë, rreziku potencial i vjen nga Sllovenia. Veprimi i Parlamentit slloven për të rrëzuar protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO ka sjellë shqetësimin e Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës së Atlantikut të Veriut, Jap de Hop Shefer, ka thirrur direkt në Bruksel për bisedime ministren e Mbrojtjes së Sllovenisë, Ljubica Jelusiç. Vota kundër në Parlamentin slloven nuk ka pasur si synim marrëdhëniet Shqipëri-Slloveni, por në rastin konkret, pala shqiptare është penalizuar nga Kroacia pas një përplasjeje që ka me Slloveninë për kundërshtimin e kufijve. NATO shpreson se Sllovenia do të bëjë lëvizjet e duhura politike për të ratifikuar në Parlamentin e saj anëtarësimin me të drejta të plota të Shqipërisë dhe Kroacisë në Aleancë. Takimi Shefer-Jelusiç erdhi pasi Parlamenti nuk miratoi protokollin për anëtarësim të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO para samitit që pritet të mbahet në prill të këtij viti. Pas këtij takimi, pritet që pala sllovene, javën e ardhshme, të kryejë disa lëvizje politike që do të mund të pasonin me mbajtjen e një seance parlamentare dhe shqyrtimin e miratimit të Protokollit për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë.

Por ministrja Jelusiç nuk përjashtoi edhe një referendum për këtë çështje, pas kontestit kufitar që ka Sllovenia me Kroacinë. "Nëse puna shkon deri tek organizimi i referendumit, të gjitha afatet do të tejkalohen. Shpresoj që të mos vijë puna deri te referendumi, por edhe nëse zhvillohet, rezultati do të jetë negativ. Në këtë rast, Sllovenia do të jetë e përulur para syve të bashkësisë ndërkombëtare", pohoi Jelusiç. Nga ana e saj, Aleanca ka shprehur shqetësime që Sllovenia nuk do të arrijë të ratifikojë protokollin për anëtarësim të dy vendeve ballkanike në NATO para samitit të prillit dhe para vizitës së parë të Presidentit amerikan, Barak Obama, në Evropë brenda gjashtëmujorit të parë të këtij viti. Për një agjenci sllovene, sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Jap de Hop Shefer, ka shprehur shqetësim për zhvillimet e reja lidhur me veton sllovene për protokollin e anëtarësimit. Shtyrja që iu bë në Parlamentin slloven protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë e Kroacisë në NATO ka vënë në alarm Aleancën e Atlantikut të Veriut. Zëdhënësi i NATO-s, Xhejms Apaturaj, theksoi se Shefer vetëm ka pyetur ministren Jelusiç për ratifikimin dhe ajo i ka shpjeguar procedurën se si ecën. "Por sekretari Shefer, asnjëherë nuk do të komentojë proceset e brendshme në një shtet anëtar", sqaroi Apaturaj. Mosmiratimi i Protokollit dy ditë më parë është bërë për shkak të kontestimit kufitar midis Sllovenisë dhe Kroacisë, si dy ish-republika jugosllave dhe pas konflikteve të ashpra midis pozitës dhe opozitës në Lubjanë. Sllovenia shtyu dy ditë më parë propozimin në Parlamentin e saj, për të ratifikuar anëtarësimin me të drejta të plota të Shqipërisë dhe Kroacisë. NATO shpreson se Sllovenia do të bëjë lëvizjet e duhura politike për të ratifikuar në Parlamentin e saj anëtarësimin me të drejta të plota të Shqipërisë dhe Kroacisë në Aleancë. Samiti i ardhshëm i aleancës është në muajin prill dhe nëse kjo çështje vonohet edhe më shumë nga Sllovenia, atëherë Shqipëria dhe Kroacia mund të humbasin mundësinë për t‘u anëtarësuar me të drejta të plota në NATO.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›