E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria distancohet nga situata, zbardh rezultatet e punës



Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve distancohet nga situata e krijuar me ish-titullarin Pango dhe publikon rezultatet e arritura nga ky institucion nën drejtimin e tij. Përmes një deklarate për mediat, bëhet e ditur se prej vitit 2007, puna në të katër drejtimet që mbulon Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve nën drejtimin e z. Ylli Pango, ka njohur një rritje cilësore dhe sasiore lehtësisht të konfirmueshme nga të gjithë. Kjo punë bëhet e ditur se është produkt i punës, seriozitetit dhe vullnetit të një stafi të përkushtuar profesionist dhe teknik që kanë bërë të mundur arritje thelbësore në turizëm, kulturë, rini dhe sport. “Të gjithë ata që prej shumë vitesh apo së fundmi janë bërë pjesë e stafit të MTKRS-së janë të vetëdijshëm për ritmin e lartë të punës, kërkesën e lartë të kërkuar në punë dhe korrektësinë që u është kërkuar në zbatimin e detyrave dhe përgjegjësive përkatëse. Vëmë në dukje që gjatë kësaj periudhe marrëdhëniet e ministrit në punë kanë qenë korrekte”, - thuhet më tej në deklaratë. Në këtë aspekt, nga pikëpamja profesionale, nuk mund të vihen në dyshim rezultatet të cilat janë reflektuar jo vetëm në mediat vizive apo të shkruara shqiptare, por edhe ato ndërkombëtare gjatë gjithë kësaj periudhe.

Deklarata vijon se si profesionistë të turizmit, kulturës, rinisë dhe sporteve, shprehim falënderimin, respektin e treguar dhe të reflektuar, por dhe debatet konstruktive të cilat kanë një rezultat të përbashkët: atë të afrimit të një produkti cilësor artistik, kulturor, turistik, sportiv apo rinor nën drejtimin e ministrit z. Ylli Pango. “Për sa më lart, është e padiskutueshme që puna jonë do të vazhdojë me të njëjtin ritëm si një detyrim yni profesional ndaj ligjeve të shtetit shqiptar dhe në shërbim të funksionimit të administratës publike”, - thuhet në deklaratën e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›