E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli në Librazhd: S’do të lejojmë abuzimin me pushtetin



Mazhoranca e djathtë shpreh sigurinë e plotë se nuk do të lejojë asnjë zyrtar që të abuzojë me pushtetin. Duke nënkuptuar rastin “Pango”, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, deklaroi dje në Librazhd gjatë një takimi “Gratë për gratë” se qeveria do të tregojë tolerancë zero ndaj të gjithë zyrtarëve që abuzojnë me pushtetin. Topalli ndër të tjera vlerësoi rolin e grave në ndryshimin e vendit duke theksuar se kanë mbajtur një peshë të madhe në këtë proces. Gjatë fjalës së saj përpara qytetarëve të shumtë, Topalli vuri në dukje se mazhoranca aktuale “ia doli” të mbante premtimet dhe të ndryshonte jo vetëm Shqipërinë, por dhe njerëzit. “Puna ime, puna jonë është të zgjidhim probleme. Detyra jonë është të qeverisim me sensin e përgjegjësisë. Ata që menduan se nuk e kishim seriozisht, gabuan. Ne e kishim seriozisht kur lançuam përpjekjet më të forta në histori për të bërë ekonominë tonë eficente. Ne punuam seriozisht në këtë sfidë. Dhe ia dolëm”, - tha Topalli. Ajo tha se reformat e së djathtës kanë ndryshuar Shqipërinë, një vend anëtar i NATO-s, një vend gati për të hyrë në BE, një vend me standarde më të larta jetese së çdo herë më parë. “Ne ishim seriozë kur premtuam dyfishimin e rrogave të mësuesve, e ne ia dolëm. Ne premtuam dyfishimin e pensioneve në fshat dhe rritjen e pensioneve në qytet dhe e mbajtëm fjalën. Koha ka ndryshuar për Shqipërinë. Shqipëria ka ndryshuar. Ne të gjithë kemi ndryshuar”, - deklaroi Topalli përpara qytetarëve të Librazhdit. Gjatë vizitës së saj, kryetarja bëri një homazh në memorialin e ngritur në kujtim të poetëve të pushkatuar Genc Leka dhe Vilson Blloshmi. Brunilda Halili, menaxhere banke e qytetit, vlerësoi kontributin e Topallit në politikë, ndërsa Elona Goma, një maturante, përshëndeti kryetaren dhe të pranishmit në emër të brezit të atyre që lindën në liri dhe votojnë për herë të parë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›