E Hënë, 2 Nëntor 2026

Miratohet rregullorja për kthimin dhe kompensimin e pronave

08/03/2005  Komiteti Shtetëror përcakton procedurën që do të ndjekin komisionet vendore

Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe i Kompensimit të Pronave ka miratuar dje rregulloren e funksionimit të komisioneve vendore, të cilat do të merren me shqyrtimin e kërkesave të ish-pronarëve si dhe me marrjen e vendimeve për kompensimin e tyre sipas ligjit. Në rregullore janë përcaktuar afatet dhe mënyrat e verifikimit të kërkesave të ish-pronarëve. Ndërsa janë paraqitur udhëzimet që duhet të zbatojnë ish-pronarët për të kërkuar të drejtën e tyre. Në bazë të dokumenteve, Komiteti ka vendosur certifikatën e pronësisë. Në rastet kur ish-pronarët nuk e kanë këtë, ata duhet të kërkojnë ndihmë nga Arkiva e Shtetit, ndërsa duke kërkuar eliminimin e eksperiencave të shkuara, në rregullore kufizohet në maksimum verifikimi i të dhënave nga persona të ndryshëm. Komiteti vendosi që vetëm me dokumente konkrete dhe me verifikime që do të bëhen në terren nga komisionerët do të realizohet procesi i kthimit dhe i kompensimit të pronave. Gjithashtu, anëtarët e komitetit kanë ngritur shqetësimin për vonesat që po bëhen në Kuvend në procedurën e miratimit të "Metodikës" së vendosjes së çmimit të tokave. Për këtë të fundit, deputetët e Partisë Demokratike kanë kërkuar sqarime nga anëtari i tyre në Komitetin Shtetëror të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Shkak për këtë kërkesë është fakti se në metodikë ka disa formula matematikore, që duhet të sqarohen nga vetë anëtarët e komitetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›