Kryeministri thumbon Topin: Të zbatohet Kushtetuta
Qeveria nuk ka të përcaktuar në axhendën e saj ndërmarrjen e një nisme ligjore për ligjin organik për Presidentin. Kryeministri Berisha ka ‘thumbuar’ edhe Presidentin e Republikës në lidhje me respektimin e Kushtetutës. “Në qoftë se Parlamenti funksion mbi bazën e një ligji, sepse ka një veprimtari të përditshme, të gjerë, të shumëllojtë, Presidenti funksionon mbi bazën e përcaktimeve kushtetuese. Zbatimi i tyre me korrektesë është ligji më i mirë për Presidencën e vendit”, tha Kryeministri Berisha. I pyetur për marrëdhëniet e ngrira me Presidentin, për shkak të moszgjidhjes së çështjes së kreut të Gjykatës Kushtetuese, Berisha tha se ligji themeltar i shtetit i ka të përcaktuara kompetencat e kreut të shtetit. Zoti Berisha tha se në axhendën e qeverisë nuk është një ligj për institucionin që drejtohet nga Bamir Topi, në një kohë që deputetët e mazhorancës janë shprehur promotorë të një iniciative të tillë ligjore.
“Unë mendoj se ligji themelor i vendit ka të përcaktuara të gjitha kompetencat, të drejtat e Presidentit të Republikës dhe i ka shumë mirë të përcaktuara. A mund të ketë ligj për Presidencën? Shumica e vendeve e kanë. Nga ana tjetër, dua të theksoj se detyrimet kushtetuese janë më eprore se të gjitha detyrimet e tjera ligjore. Unë, natyrisht, ndjek me interes iniciativat e deputetëve. Qeveria vetë nuk ka ndërmend të marrë ndonjë nismë që të bëjë ligjin për Presidencën. Kemi axhenda të tjera. Deputetët, po të duan, mund ta bëjnë", tha Berisha.
#