E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri ua faturon shërbimeve sekrete tragjedinë e Gërdecit



Kryeministri Sali Berisha e ka cilësuar dramatike ngjarjen e Gërdecit dhe ka vënë në dukje se institucionet e sigurisë në vend kanë dështuar. Këtë deklaratë Berisha e ka bërë gjatë mbledhjes së Komitetit të Politikave e Sigurisë, ku ishin të pranishëm kryeprokurorja Ina Rama, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, shefi i Shërbimit Informativ Shtetëror, Bahri Shaqiri, si dhe ministra të kabinetit qeveritar. Duke iu referuar ngjarjes së Gërdecit, kryeministri Berisha tha se strukturat e sigurisë kanë dështuar, ndaj dhe kërkoi realizimin e një reforme gjithëpërfshirëse në këto institucione. Në këtë drejtim Berisha kërkoi më shumë bashkëpunim dhe koordinim ndërmjet Shërbimit Informativ Shtetëror, ministrive dhe inspektorateve, për të arritur shkallën më të lartë të sigurisë në vend. “Ajo që ndodhi në Gërdec është një ngjarje tepër e hidhur, është një tragjedi e tmerrshme dhe dramatike, por shumë herë më e tmerrshme, më e pafalshme dhe më e papranueshme do të jetë që ne të mos shqyrtojmë sigurinë në të gjitha dimensionet e saj”, - është shprehur Berisha ndërsa e ka cilësuar të domosdoshëm bashkërendimin e punës së të gjitha institucioneve. Ai vuri në dukje se taksapaguesit shqiptarë paguajnë shumë për sigurinë e tyre, ndërkohë që eficenca e institucioneve shtetërore është ende larg. Në këtë drejtim Berisha kërkoi rishqyrtimin e ligjit për shërbimet informative në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme. Ai vuri në dukje se ka mospërputhje ndërmjet informacioneve të shumta që sjell shërbimi inteligjent. Berisha gjithashtu i kushtoi rëndësi dhe shërbimit sekret ushtarak duke kërkuar që të veprohet me dy njësi zbuluese, një civile dhe një ushtarake. Kreu i qeverisë kërkoi funksionimin e shërbimit sekret në dogana dhe tatime. “Duhet te ngremë shërbimet inteligjente të tatimeve, që duhen për qëllime investiguese, me kontroll nga ana e Prokurorisë. Po kështu dhe shërbimi i doganave. Këto struktura kanë dhe funksione të mirëfillta profesionale, por duhet të kenë dhe funksione inteligjente. Pa shërbime inteligjente, pa zhvillimin dhe konsolidimin e tyre nuk ka dhe nuk mund të ketë siguri”, - është shprehur Berisha. Më tej ai kërkoi nga shefi i
Shërbimit Informativ Shtetëror, Bahri Shaqiri, që të përgatitet një projektligj për përcaktimin e statusit të punonjësve të Shërbimit Informativ. Në këtë mbledhje Berisha njoftoi që pranë Këshillit të Ministrave do të krijohet një departament që do të koordinojnë punën e të gjitha agjencive që merren me problemin e sigurisë, ku përfshihen SHISH, Garda e Republikës, Policia, Tatimet, Doganat, Shërbimi i Ushtrisë, Policia Ushtarake dhe inspektorate të tjera. Ai tha se ky model ekziston në shumë vende dhe ky komitet do të marrë atributet e një kolegjiumi që të shqyrtojë periodikisht problemet e sigurisë së vendit.

5 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›