E Diel, 1 Nëntor 2026

Policët, ndëshkim maksimal për bashkëpunimin me median



Një prej pikave që rregullorja e re e konsideron si shkelje të rëndë, lidhet me dhënien ose bërjen publike të informacioneve që jep punonjësi i policisë. Në fakt kjo pikë është e lidhur drejtëpërdrejtë me marrëdhëniet e punonjësve të policisë dhe gazetarëve ku këta të fundit janë përherë të interesuar që të vjelin sa më tepër të dhëna dhe detaje që kanë lidhje me ngjarje të caktuara.Duke qenë se komunikatat zyrtare për shtyp të policisë janë zakonisht “të thata” ose të përgjithshme është gjithnjë e domosdoshme që media dhe gazetarët të flasin dhe të marrin informacion nga punonjësit e policisë në terren për më shumë të dhëna. Por duket se ky lloj bashkëpunimi ka premisa të vështirësohet në kushtet kur rregullorja e re e konsideron dhënien e informacioneve ose publikimin e tyre si shkelje të rëndë. Sakaq në rregullore nuk është përcaktuar asnjë nivel tolerance për informacione ose detaje që nuk ndikojnë në suksesin e hetimeve në rast publikimi. Nga rregullorja e re del qartë se edhe publikimi ose deklarimi nga ana e punonjësve të policisë i të dhënave më të rëndomta përbën një shkelje të rëndë.

Sjelljet që klasifikohen si shkelje të rënda disiplinore

Shkelje të rënda disiplinore mund të konsiderohet veprimi ose mosveprimi i punonjësit të Policisë, punonjësit që bashkëpunon me të ose atij që nxit kryerjen e shkeljeve të mëposhtme:

- Fshehja ose asgjësimi i ankesave të qytetarëve.
- Fshehja, ndryshimi ose asgjësimi i dokumenteve zyrtare në formë shkresore ose elektronike.
- Moskthimi i sendeve në përdorim ose të marra për shkak të detyrës.
- Mosdorëzimi sipas rregullave i sendeve apo i të hollave të gjetura.
- Kryerja e veprimeve të pahijshme.
- Moszbatimi i urdhrave të ligjshme që ka sjellë pasoja.
- Dhënia ose publikimi i paautorizuar i informacioneve që disponon gjatë kryerjes dhe për shkak të detyrës.
- Kërkimi ose pranimi pa autorizimin përkatës i çdo lloj shërbimi ose dhurate.
- Marrja e huave në këmbim të favoreve ose në mënyrë që mund të ndikojë në zbatimin e detyrave.
- Përdorimi i detyrës si punonjës e për interesa private.
- Shkelje e kërkesave, rregullave dhe normave gjatë kryerjes së veprimeve procedurale penale.
- Shkelje ose moszbatim i kompetencave të policisë.
- Refuzimi për t’u identifikuar në rast se kjo kërkohet nga qytetarët.
- Përdorimi i paligjshëm ose i paarsyeshëm i forcës.
- Përdorimi i armëve të paautorizuara.
- Mosraportimi i përdorimit të armës së zjarrit.
- Përdorimi i armës në mënyrë të paligjshme.
- Mbajtja e armës së zjarrit në kundërshtim me normat dhe rregullat e vendosura.
- Dëmtimi, shpërdorimi ose humbja e pronës së policisë.
- Drejtimi i automjeteve nën efektin e alkoolit ose lëndëve narkotike.
- Përdorimi i pijeve alkoolike gjatë punës, shërbimit ose kur është me uniformë.
- Përdorimi i lëndëve narkotike.
- Mosdeklarimi i përdorimit të medikamenteve për arsye mjekësore, të cilat krijojnë efekte në sjelljen ose aftësitë fizike të punonjësit të Policisë.
- Ngacmimi seksual, ose mosmarrja e masave nga drejtuesi për rastet e konstatuara, ose për të cilat është vënë në dijeni.
- Mosparaqitja në shërbim apo në detyrë pa shkaqe të arsyeshme për 7 ditë.
- Mosmarrja e masave të nevojshme nga eprorët për parandalimin e pasojave të mëtejshme në rastet e shkeljeve të rënda disiplinore të kryera nga vartësit e tyre.
- Përsëritja mbi tri herë brenda vitit e shkeljeve të lehta disiplinore për të cilat është ndëshkuar.

Sjelljet që klasifikohen si shkelje të lehta disiplinore

Shkelje të lehta disiplinore konsiderohen të gjitha ato shkelje që nuk përfshihen në tabelën e shkeljeve të rënda disiplinore. Këto shkelje mund të ndëshkohen me masën disiplinore deri në ”gjobë në masën sa paga e punonjësit për pesë ditë pune”.

Masat disiplinore për punonjësit e Policisë

Masa disiplinore në rastet e shkeljeve konsiderohen:

- Vërejtje.
- Vërejtje me paralajmërim.
- Gjobë në masën sa paga e punonjësit sa për pesë ditë pune (deri këtu shkon ndëshkimi për shkelje të lehta).
- Shtyrje e afatit të gradimit nga një muaj deri në një vit.
- Pezullim pa pagesë nga pesë ditë deri në tridhjetë ditë.
- Ulje jo më shumë se një gradë deri në 12 muaj.
- Përjashtim nga Policia.

Masat disiplinore për punonjësit e shërbimeve mbështetëse

Masa disiplinore në rastet e shkeljeve konsiderohen:

- Vërejtje.
- Vërejtje me paralajmërim.
- Pezullim pa pagesë nga pesë ditë deri në tridhjetë ditë.
- Ulja në një detyrë më të ulët.

5 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›