E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli reagon pas deklaratës së ambasadorit amerikan

“Imuniteti i Mediut sipas procedurave të Parlamentit”. “Opozita të sjellë ligjin për kufizimin e imunitetit”

Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, e gjendur tashmë në qendër të kritikave të ashpra nga opinioni publik dhe politik, ka reaguar dje pas deklaratës së ambasadorit amerikan në Tiranë Uidhers. Në një prononcim për mediat Topalli është shprehur se imuniteti i ish-ministrit Mediu do të hiqet së shpejti, ndërkohë që nuk dha asnjë datë konkrete. Ajo tha se Parlamenti nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka respektuar procedurat parlamentare. Madje Topalli kërkoi që edhe institucionet e tjera të respektojnë procedurat e Parlamentit. “Parlamenti funksionon përmes një rregulloreje, e cila është për t’u zbatuar dhe për t’u respektuar nga të gjithë. Institucionet duhet të respektojnë Parlamentin, ashtu si Parlamenti respekton institucionet e tjera në të gjithë pavarësinë e tyre”, - është shprehur Topalli. Duke shfrytëzuar kërkesën për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, Topalli kërkoi që opozita të dërgojë në Kuvend projektligjin për kufizimin e imunitetit jo vetëm të deputetëve, por edhe të gjyqtarëve. “Është shumë e rëndësishme që të shkohet në thelbin e çështjes dhe besoj se çështja më e rëndësishme për Parlamentin në këtë rast është të kalojmë ligjin për kufizimin e imunitetit, për të gjithë deputetët. Opozita uroj të fillojë punën në nënkomisionin e ligjeve, për të sjellë në komisionet e tjera dhe më pas në seancë plenare, ligjin për kufizimin e imunitetit, por jo vetëm të imunitetit të deputetëve por të gjyqtarëve dhe të gjithë atyre që kanë imunitetet”, - është shprehur Topalli. Ajo bëri të ditur se Këshilli i Mandateve është duke përgatitur raportin për heqjen e imunitetit të Mediut, ndërkohë që ende nuk dihet afati për paraqitjen në seancë të këtij raporti.

5 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›