Heroina, burg pa afat për pesë anëtarët e rrjetit
Burg pa afat ka vendosur gjykata për pesë të arrestuarit e operacionit “Punto 2” të organizuar mbrëmjen e së shtunës nga sektori i antidrogës në Komisariatin e Policisë së Beratit. Gjatë këtij operacioni, që u finalizua me sekuestrimin e 70 dozave heroinë, ranë në pranga një grua bashkë me dy fëmijët e saj. Bashkë me ta u ndaluan dy të rinj nga qyteti i Beratit, ndërkohë që një tjetër nga Spitalla e Durrësit është shpallur në kërkim policor. Pesë të ndaluarit për posedimin e 70 dozave heroinë dje janë përballur me togat e zeza për vlerësimin e masës së sigurisë. 51-vjeçarja Saraçi është vetëmbrojtur, duke deklaruar se nuk ka pasur dijeni se çfarë bëhej në lokalin që ajo menaxhonte. I njëjtë ka qenë edhe reagimi i dy të rinjve: Oltjon Marini, 31 vjeç, dhe Marko Bajaziti, 29 vjeç, të cilët kanë deklaruar se kanë qenë rastësisht në lokalin e familjes Saraçi në lagjen “çlirim” të Beratit. Ndërkohë, prokurori i çështjes ka pretenduar se pesë të ndaluarit dhe Dritan Memolla i shpallur në kërkim policor, janë pjesë e një rrjeti të shpërndarjes së lëndëve narkotike. Familja Saraçi, kohët e fundit, kishte marrë me qira një lokal në lagjen “çlirimi”, ku dhe administronin familjarisht 51-vjeçarja Ll. Saraçi, vajza e saj 26-vjeçarja G.Saraçi, si dhe i biri Tonet Saraçi, 28 vjeç. Sipas të dhënave të mbledhura në rrugë operative, dyshohet se në këtë lokal shiteshin lëndë narkotike. Menjëherë mbas arrestimit të dy femrave në vendin e quajtur “Kombinat”, të cilat udhëtonin me autobusin e linjës Tiranë-Berat, në lokalin e Saraçëve kanë shkuar agjentë të krimeve, të cilët kanë bërë ndalimin e tre të rinjve. Përfaqësuesi i akuzës ka kërkuar shpalljen të vlefshme të masës së sigurisë ndaj të ndaluarve mbrëmjen e së shtunës dhe lënien e tyre në burg deri në përfundim të hetimeve. Në përfundim të seancës, gjyqtarja Margarita Buali ka pranuar kërkesën e prokurorit të çështjes dhe ka vendosur “burg pa afat” ndaj pesë të arrestuarve dhe Memollës që është ende në kërkim.